Basha: Do t’i japim fund qeverisë së Edi Ramës

schedule13:50 - 12 Korrik, 2019

schedule 13:50 - 12 Korrik, 2019

Nuk japin një datë zgjedhjesh por fushata elektorale duket se ka nisur në Partinë Demokratike. Pas mbledhjes me kryebashkiakët e djathtë dhe kryetarët e partisë në rrethe, kryedemokrati Lulzim Basha thirri kryesinë dhe ish deputetët e grupit parlamentar.

Zgjedhjet e 30 Qershorit kanë ndryshuar disi fokusin e opozitës së bashkuar që është përqendruar tashmë tek shqiptarët që bojkotuan procesin e votimit.

“Gjithë fokusi ynë do të vendoset tek prioritetet e vërteta të njerëzve, çlirimi nga mjerimi ekonomik dhe hapja e rrugës për punësim dhe për mirëqenie për çdo shqiptar. Kjo vjen përmes reformave të thella politike, kjo vjen përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dhe për këtë beteja që ka nisur dhe që ka marrë mbështetjen e mbi 85 % të shqiptarëve me 30 Qershor, do të vazhdojë deri në kurorëzimin e saj me fitoren e plotë të çdo qytetari”.

Partia Demokratike ka nisur punën për të hedhur në letër alternativat nxjerrjes së vendit nga kriza që sipas Lulzim Bashës nuk vërtetohet vetëm nëpërmjet studimeve e sondazheve por është e dukshme ngado që hedh sytë nëpër Shqipëri.

“Njerëzit nuk kanë lekë për të blerë bukën e gojës. 31% e familjeve nuk mbyllin dot shpenzimet për ushqimet, nuk mbyllin dot shpenzimet e bukës, nuk mbyllin dot shpenzimet mujore. Ky është prioriteti i vërtetë dhe absolute i vendit”.

Të palëkundur mbeten në formën e zgjidhjes së krizës politike demokratët vazhdojnë të përjashtojnë arritjen e ndonjë marrëveshje me kryeministrin Edi Rama e njëherësh këmbëngulin se ata që kanë vjedhur votat nuk do ti shpëtojnë ndëshkimit.

 “Fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të kapur duke vjedhur votat, ndëshkim këtij regjimi që nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe veten e vet, kur vetë kandidonte, vetë votonte, vetë numëronte, vetë tabulonte dhe vetë shpallte rezultatet dhe kthimit të sovranitetit të qytetarit”.

Aksioni politik do të vazhdojë duke mos përjashtuar as protestat.

“Siç ka vazhduar do të vazhdojë”.

Lulzim Basha deklaron në emër të opozitës së bashkuar se për ti kthyer njerëzve të drejtën e vendimmarrjes janë të gatshëm të bëjnë çdo sacrifice dhe çdo betejë, me çdo formë dhe me çdo mjet të mundshëm./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!