Ndërsa pritet përgjigjja e ekspertizës lidhur me vërtetësinë e audiopërgjimit të bisedës së pretenduar mes Albert Veliut dhe Agron Xhafajt, kreu i opozitës Lulzim Basha deklaron se nuk ka asnjë shans që vendimi të jetë i pandikuar politikisht nga përcaktimi i bërë prej Ramës për këtë bisedë.
Në studion e emisionit ‘Opinion’ në Tv Klan, Basha tregoi si një skenar se përgjigjja e eskpertizës do të nxjerrë audiopërgjimin të pavërtetë, por Basha paralajmëroi se pas kësaj do të pritet një surprizë e madhe, që implikon Ramën dhe Xhafajn. Basha nuk sqaroi asgjë më shumë për surprizën, nëse bëhet fjalë për prova apo përgjime të reja, megjithë këmbënguljen e drejtuesit të emisionit Fevziu.
Sipas Bashës, në PD ka informacione të besueshme se pas përcaktimit të vijës politike nga Rama, audiopërgjimi do të shpallet i pavlefshëm edhe nga prokuroria.
Basha përsëriti akuzat për ministrin Fatmir Xhafaj. Vëllai i tij, sipas Bashës, është rasti i vetëm për të cilin nuk ka pasur urdhër-arresti ndërkombëtar, pas një ndërhyrjeje nga pala shqiptare tek autoritetet italiane, përmes mashtrimesh dhe falsifikimesh, kur Fatmir Xhafaj ishte ministër deri në 2005-n.
Lulzim Basha nuk komentoi deklaratën e ambasadorit amerikan pas takimit me Fatmir Xhafajn, por tha se qëndrimi i opozitës për largimin e ministrit të Brendshëm mbetet i pandryshuar. Kryetari i PD, Lulzim Basha, u pyet dhe ka folur për herë të parë për lajmin e survejimit të tij nga ana e policisë. Ai tha se nuk shqetësohet nga përgjimet që i bëhen, por për degradimin e shtetit dhe policisë shqiptare./abcnews.al