Nga kjo e hënë, opozita ka vetëm një mision, t’u prijë qytetarëve të cilët përmes kryengritjes demokratike popullore do të marrin në dorë fatet e tyre për të rrëzuar qeverinë. Deklaratën e bëri kreu i PD-së Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit në çeljen e sesionit të ri parlamentar.
“Nuk ka rrugë tjetër përveçse ta çlirojmë këtë aulë nga konflikti i interesit që ka me krimin, kriminelët dhe oligarkët. Ta bëjmë këtë përmes miratim të platformës opozitare për Shqipërinë apo do ta bëjmë këtë duke ftuar të gjithë qytetarët që të marrin në dorë fatet e tyre, kjo nuk është më në dorën tonë. Një gjë ju garantoj duke nisur nga sot PD dhe opozita ka vetëm një mison. Ti prijë qytetarëve drejt të drejtës së tyre më legjitime. T’i bëhen zot fateve të vendit. T’i bëhen zot fateve të familjeve të tyre. T’i bëhen zot, fateve të familjeve të tyre. T’i bëhen zot fateve të vendit të tyre. T’i bëhen zot fateve të fëmijëve të tyre. T’i bëhen zot të këtij parlamenti dhe të kësaj qeverie përmes një kryengritje demokratike popullore për t’i dhënë fund regjimit të këtij marri psiqik që vjedh shqipërinë. Kjo duhet të marrë fund një orë e më parë”, u shpreh Basha.
Opozita u rikthye sot në parlament, por u largua menjëherë pasi Lulzim Basha përfundoi fjalën e tij. Kreu i PD u tha socialistëve se kryeministri nuk i pyet më për vendimmarrjet e tij, ndërsa vendi ka humbur shpresën.
Edhe gjatë një takimi që pati grupi parlamentar dhe kryesia e PD-së para nisjes së seancës plenare pati në fokus organizimin e strukturave në funksion të zhvillimeve më të fundit politike dhe protestave qytetare të paralajmëruara së shpejti./abcnews.al