Basha: Dialog me Ramën nuk ka

schedule12:56 - 6 Mars, 2019

schedule 12:56 - 6 Mars, 2019

Kryetari demokrat Lulzim Basha shprehet edhe njëherë i vendosur për të mos dialoguar me kryeministrin Edi Rama. Në përfundim të takimit me zv.ambasadoren amerikane, Basha tha se marrëveshja e 17 majit, rezultoi kundër interesit publik.

Duket se kreu i demokratëve Basha kërkon të mos përsërisë, historinë që për të rezultoi tragjedi elektorale, një herë të dytë në formën e një farse. Ndaj ftesës së përsëritur të kryeministrit i vë përballë eksperiencën.

“Dialogu midis meje dhe Ramës provoi të ishte i dëmshëm për interesat e Shqipërisë në mënyrën si u keqpërdor nga një njeri që hiqet si kryetar i Partisë Socialiste, por është reduktuar në një bashkëpunëtor të krimit të organizuar dhe të oligarkëve grabitqarë që dëmtojnë interesat e shqiptarëve, dëmtojnë dhe interesat e socialistëve, dëmtojnë dhe interesat e demokracisë. Populli ka folur dhe dje dhe do flasë në çdo protestë. Rama bën mirë të dëgjojë zërin e popullit, t’i hapë rrugë zgjidhjes politike dhe t’i hapë rrugë hetimit të dosjes 339  dhe 184. Zgjidhja mbetet në dorë të popullit”.

Deklaratat kreu i demokratëve i bëri në përfundim të takimit me zëvendës ambasadoren amerikane Leyla Moses One, përmbajtjen e të cilit refuzoi ta bënte publike.

“Nuk bëj komente mbi deklaratat dhe takimet në këtë rast me partnerin strategjik të Shqipërisë, SHBA”.

Takimi që zgjati rreth një orë, erdhi një ditë pas protestës së katërt të thirrur nga koalicioni opozitar dhe është i pari mes kryeopozitarit dhe përfaqësueses më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, që pas nisjes së sezonit të protestave opozitare më 16 shkurt dhe djegies së mandateve të deputetëve, edhe pse në qëndrimet e saj në mënyrë të vazhdueshme Ambasada amerikane është shprehur kundër këtij veprimi politik të opozitës, por edhe përdorimit të dhunës në protesta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!