Lulzim Basha dhe Ervin Salianji janë thirrur të premten për të dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kryetari i PD do pyetet për dosjen “Xhisiela”, ndërsa deputeti Salianji për çështjen “Babale”. Mbrëmjen e kaluar deputeti Salianji publikoi një videopërgjim të Fredi Alizotit, në të cilën implikon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Prokuroria e Krimeve te Rënda sekuestroi videon e publikuar në studion e emisionit “Opinion”, nga deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji.
Ky i fundit ka zbuluar një përgjim të Fredi Alizotit, personi që prokuroria e konsideron bashkëpuntor te Albert Veliut, në atë që dyshohet si inskenim i përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Oficerët mbërritën në Selinë e PD paraditen e së mërkurës, ku edhe bën administrimin e materialit filmik, në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, të premten mësohet se deputeti demokrat Ervin Salianji pritet të japë deklarimet e tij në lidhje me dosjen “Babale” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Salianji ka publikuar filmimin e realizuar me një kamera të fshehtë të Fredi Alizotit, ku ky i fundit implikon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Salianji nuk tha se kush e ka bërë filmimin dhe se nuk dihet se kush e ka realizuar dhe as nëse mund të provohet vërtetësia e saj.
Video, sipas Deputetit të PD, hedh poshtë versionin e prokurorisë, pasi sipas tij, Alizotit i është bërë presion për të dëshmuar. Ndërkohë Fredi Alizoti do të qëndrojë në burg deri në fund të hetimeve, sipas një vendimi të marrë të martën nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Edhe kreu i opozitës Lulzim Basha është thirrur ditën e premte për të dëshmuar në organin e akuzës së Tiranës për dosjen “Xhisiela”. Ky kallëzim u bë nga Taulant Balla për rastin e ish-oficerit Emiljano Nuhu. Balla ka paditur penalisht për “shpërdorim detyre”, “shpifje dhe fyerje” Bashën, Edi Palokën, Enkelejd Alibeajn, Basir Çollakun dhe Emiljano Nuhun. Ish-oficeri i Krujës, Nuhu pretendon se në datë 21 korrik është kërcënuar më armë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të Rexhep Rrajas djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja./abcnews.al