I vendosur në mes të demokratëve korçarë, kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se misioni i PD në Kuvend është rikthimi i votës së lirë në mënyrë që pushteti dhe institucionet t’u shërbejnë shqiptarëve.
“Përjetësimi përmes mënyrave të ndryshme të pushtetit. Këto kanë sjellë asgjësimin e të gjithë institucioneve të vendit. Sa prej jush nuk dinë më ku ta qajnë hallin. Duhet të bësh qindra kilometra rrugë për një formalitet. Një fermer duhet të ndajë një ditë të tërë për të shkuar dhe për të ardhur si një mesjetë. Këto institucione janë kalbëzuar dhe janë kthyer në shërbim të këtij grushti njerëzish.
Duhet vettingu i politikanëve për ata që nuk justifikojnë dot pasurinë e tyre sepse kanë abuzuar me detyrën e tyre. Krimi i organizuar të mos dënohet me gjobë por me 22 vite burg. Italia e ka caktuar prekjen e votës si krim. Edhe vrasja e votës vret shpresën, ekonominë. Fut në depresion familjet. Beteja jonë që është edhe arsyeja e vetme pse ndodhemi në atë parlament, sepse ai nuk përfaqëson vullnetin e shqiptarëve. Aty dhe kudo, beteja jonë nuk bëhet për veten tonë, por për shqiptarët dhe fillon nga garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ky është parakushti, që të kemi politikanë që votohen dhe hiqen nga shqiptarët. Të gjithë duhet t’i nënshtrohen një kontrolli të imtësishëm. Në këtë mënyrë pastrohen rreshtat e parë të institucioneve që janë zaptuar nga njerëz që nuk mendojnë për shqiptarët”, tha Basha.
Basha u shpreh se fermerët shqiptarë janë më punëtorët në Ballkan, por të vetmit që në mbrëmje kthehen me kokën ulur në shtëpi.
“E di që kjo është një orë kur shumë prej fermerëve kthehen në shtëpi pasi kanë bërë punët e ditës. Kthehen me kokën ulur. Jo se janë lodhur. Nuk lodhen ata. Janë ndër më të palodhurit në Ballkan dhe Europë. Por sepse nuk kanë në krah asgjë përveç punës së tyre. Gjysma e të keqes nëse do kishin një qeveri që kujdeset për ta. Por kanë një qeveri që është kundër tyre. E mbushin tregun me perime të kamufluara. Njësoj si para 32 vitesh nuk ka treg për fermerët. Nuk ka ekonomi dhe kur nuk ka ekonomi nuk ka punësim.
Këtu është vendi për të thënë në mes të kësaj qytetarie që është sonte mikpritësja ime nga Tirana. Se të gjitha vijnë si pasojë e shpërfytyrimit të politikës. Një politikë që ka humbur tiparet njerëzore. Për asnjë çast as gjuha nuk reflekton kulturën apo vlerat e qytetarëve të Shqipërisë. As nuk ka të bëjë me hallet e shqiptarëve. Është më shumë një dramë që rëndon në kurrizin e shqiptarëve. Pse bëhet gjithë ky teatër. Për të maskuar një tjetër dramë të madhe që Korça e di shumë mirë, që janë institucionet e kapura. Janë në shërbim të një grushti njerëzish”, u shpreh ai.