Takimi i katërt i Gazment Bardhit me Berishën e deputetët, as këtë herë nuk u zhvillua në selinë blu.
Sali Berisha la selinë e daljeve të tij, dhe iu bashkua deputetëve për herë të dytë, në Kryesinë e Kuvendit. Axhenda e diskutimeve të tyre u përqendrua tek seanca e së enjtes dhe kërkesa për ta zëvendësuar Enkelejd Alibeajn e grupit të Bashës, me Oerd Bylykbashin të Berisha-Bardhit në komisionin për reformën zgjedhore.
“Propozimi i opozitës për ta bërë funksional komisionin e reformës zgjedhore nuk është përfshirë. Kjo tregon edhe njëherë se maxhoranca nuk e ka seriozisht reformën zgjedhore dhe do të mbajë të bllokuar komisionin”, theksoi Bardhi.
Në këtë tryezë të katërt morën pjesë 28 deputetë opozitarë, ndërkohë as këtë herë nuk iu bashkua deputetja Jorida Tabaku. Por thirrjen Gazment Bardhi e pati për Lulzim Bashën, që ka preferuar të qëndrojë indiferent si në media, ashtu dhe në Foltoren e Parlamentit.
“Ftoj kolegun Basha sepse paguhet për të ardhur dhe bërë opozitë në parlament”, theksoi Bardhi.
Seancat e kaluara janë dominuar nga konfliktet mes demokratëve dhe pozicioni i tyre në parlament. Pritet të shikohet nëse kryeparlamentrja Lindita Nikolla këtë seancë, do e thotë fjalën e saj të fundit, se kush është kryetar I grupit parlamentar demokratë, Gazment Bardhi, apo e deleguara e Lulzim Bashës, Flutura Açka./abcnews.al


