Vazhdimisht ka qenë titullar, por festën e duhur e bëri vetëm tani.
Jurgen Bardhi po kalonte një sezon të vështirë në Ligën e Parë të Turqisë, por ndoshta kjo do të ndryshojë pasi në sfidën e fundit ishte heroi kryesor.
Ish-kapiteni I Partizanit shënoi 3 gola në fitoren 5-0 që skuadra e tij, Umranijespor arriti në shtëpi ndaj rivalit Adanaspor.
Një sukses I merituar dhe jetik për fatin e ekipit në kategorinë e dytë të Turqisë, dhe Bardhi realizoi rrjetën për 1-0 që në minutën e tretë, pastaj për 3-0 në 29’, si dhe vulosi rezultatin 5-0 në 75’.
Natyrisht, mesfushori sulmues pati edhe mundësi të tjera dhe u dallua në mbështetje të lojës offensive të vendasve.
Këto ishin tre goditjet e para të sakta për talentin që u krijua në Akademinë e Partizanit dhe u largua nga të kuqtë në 2021.
Në total, në Turqi, ai ka 151 ndeshje në të cilat ka 13 rrjeta dhe 22 asiste, pra mund të thuhet se ka qenë I dalluar, edhe pse jo në Superligë.
Gjithsesi, Bardhi dhe shokët e tij duhet të luftojnë shumë më tepër se kaq, pasi Umranijespor rrezikon të bjerë në kategorinë e tretë.
Skuadra e shqiprtarit është në vendin e 16-të nga 20 ekipe gjithsej, me 21 pikë, shumë pranë zonës që të zbret nga kategoria./abcnews.al

