Bardhi: Rama e hoqi Teatrin nga zona e mbrojtur për të pastruar paratë me kulla

schedule13:48 - 14 Korrik, 2018

schedule 13:48 - 14 Korrik, 2018

Demokratët kanë vijuar edhe sot denoncimet për çështjen e teatrit kombëtar. Këshilltari ligjor I PD ka renditur ato që i quan lëvizje ndër vite të Edi Ramës për të tjetërsuar pronën publike.

Denoncimin mbi atë që quan qëllim final të projektligjit të miratuar që i hap rrugë shembjes dhe ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar në qendrën historike të Tiranës, selia blu e vijon me dokumenta qeveritare.

“ Dokumentat provojnë se qëllimi i Edi Ramës dhe Erion Veliajt nuk është ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, por falja e pronës publike kompanisë Fusha sh.p.k., me synimin e vetëm të përfitimit korruptiv të rreth 205 milionë eurove”.

12 prill 2017 është data që mban Vendimi i Këshillit të Ministrave i firmosur nga, asokohe, zv.kryeministri Niko Peleshi që shpall qendrën Historike të qytetit sipas kësaj harte.

Pamja në ekran provon sesi Edi Rama ndryshoi një vit më parë,hapësirën e Zonës Historike të Tiranës, duke hequr prej saj zonën e Teatrit Kombëtar. Vendimi për zvogëlimin Qendrës Historike është marrë pa patur asnjë argument ligjor,  teknik apo historik”.

Zona e mbrojtur sipas VKM-së së Rilindjes mavi, mbivendosi atë rozë të shpallur nga socialistët në vitin 2000 kur kryeministër Ilir Meta firmosi shpalljen si “Ansambël Monument Kulture” të aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës, në zonën e shënjuar me të kuqe, thekson Gazment Bardhi.

“Ky ansambël monument kulture kishte një shtrirje të gjerë dhe korrespondonte me përfshirjen në të, të të gjitha ndërtesave me vlerë historike në qytetin e Tiranës, të cilat duhet t’i nënshtroheshin ruajtjes dhe restaurimit të tyre.Ansambli Monument Kulture përfshinte edhe Teatrin Kombëtar dhe zonën përreth tij derisa kryeministër u bë Edi Rama dhe Kryetar Bashkie Erion Veliaj”.

Për këtë apelin ia përsërit Presidentit të Republikës Ilir Meta, për kthim të ligjit për teatrin, antikushtetues sipas partisë Demokratike.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!