Problemet që rrethojnë klubin janë të mëdha, por në fushë Barcelona shkëlqen, duke I dhënë një tjetër sinjal të rëndësishëm rivalëvë në prag të nisjes së sezonit të ri në La Liga.
Kampionët spanjollë fituan 5-0 ndaj Como sfidën e vlefshme për trofeun e përvitshëm “Johan Gamper”, por më shumë se rezultatin ishte loja e skuadrës së Hansi Flick, që i bën tifozët “blaugrana” të ëndërrojnë sërish.
Sfida e luajtur në stadiumin “Johan Cruyff” kishte pak histori, me të zotët e shtëpisë që e vranë garën me katër gola që në pjesën e parë.
Firmin Lopez shënoi për epërsinë e Barcelonës në minutën e 21-të.
Po vetë, mesfushori me tipare sulmuese dyfishoi shifrat në të 35-ën.
Më pas, skenën e morën dy yjet e tjerë “blaugrana”.
Protagonistë në sezonin e shkuar të kurorëzuar me titullin kampion, Rafinha dha Lamine Yamal projektojnë një tjetër edicion të madh.
Braziliani thelloi në 3-0 diferencën në rezultat, ndërsa në fundin e pjesës së parë, talenti spanjoll plotësoi “pokerin” e kampionëve të La Liga.
Pas pushimit, Lamine Yamal kurorëzoi mbrëmjen e madhe personale dhe atë të Barcelonës me golin e pestë, që vulosi triumfin e skuadrës së Hansi Flick.
Me këtë sukses, kampionët spanjollë ruajnë serinë pa humbje në turnetë veror, ku në katër ndeshje kanë shënuar 20 gola. Kështu, të gjithë rivalët janë të paralajmëruar në vigjilje të sezonit të ri që nis në fundjavë. / abcnews.al /


