Barcelona ka marrë mbi 30 milionë euro borxh për Grizmanin

schedule18:00 - 15 July, 2019

schedule18:00 - 15 July, 2019

Barcelona ka marrë borxh për të përballuar transferimin e Antuan Grizmanit. Kjo do të thotë se klubi katalanas e ka thuajse të pamundur që të marrë edhe Nejmarin.

U detyrua të pranonte një të vërtetë.

Barcelona pohon se u detyrua të trokiste në bankë për të përfunduar transferimin e Antuan Grizmanit.

Klubi katalanas nuk mund të realizonte blerjen e kartonit të francezit me paratë që kishte gjendje, ndaj edhe mori kredi prej 35 milionë eurosh që të plotësonte shifrën e 120 milionëve të kërkuar nga Atletiko, sipas klauzolës.

Grizman u prezantua, madje nisi edhe stërvitjen me shokët e tij të skuadrës, pavarësisht se Atletiko ankohet për padrejtësi, veçse tek Barcelona gëzimi nuk mund të jetë i plotë.

Afrimi I sulmuesit francez, dhe mungesa e transferimeve në dalje, do të thotë se shpenzimet kanë qenë më të mëdha se mundësitë, dhe se nuk mund të bëhen lëvizje të tjera për përforcimin e skuadrës.

Kjo do të thotë se ëndrra për të rimarrë Nejmarin nga Paris SG nuk mund të bëhet realitet.

Sulmuesi brazilian, i larguar në 2017, dëshirohet me gjithë shpirt nga presidenti Bartomeu, dhe nga yjet e ekipit, por për të do të duhen të paktën 200 milionë euro.

E vetmja mundësi që mbetet është marrëveshja lojtar për lojtar, pra që katalanasit të japin Kutinjon, Dembelenë e ndoshta Rakitiçin për të bërë të mundur marrjen e Nejmarit.

Diçka që varet vetëm nga vullneti i PSG-së, që mund të kërkojë thjesht akord mbi bazën e parave. /ABC News Albania 24/7