Barcelona i afrohet titullit në Spanjë

schedule14:07 - 7 Prill, 2019

schedule 14:07 - 7 Prill, 2019

Barcelona është më pranë titullit në Spanjë, pas fitores me Atletikon e Madridit. Skuadra katalanase tani do të përqendrohet tek sfidat e Ligës së Kampionëve.

Nuk mund të thuhet se ishte një “poezi” Barcelona që pati përballë Atletikon e Madridit në “Kamp Nou”. Emrat, padyshim, ishin të gjithë aty, që nga Ter Stegen e deri tek Messi, por jo loja e dikurshme.

Gjithsesi, kjo skuadër ka edhe një cilësi negative, që nuk të kënaq gjithnjë, edhe një shumë të dobishme, që fiton dhe kur nuk bind. Atletiko, së cilës i bënte punë vetëm fitorja, ishte më kërkuese kur dy ekipet ishin me forca të barabarta në fushë.

U dëmtua shumë kur sulmuesi kryesor Diego Costa mori karton të kuq direkt për ofendim të gjyqtarit, por ia doli edhe në inferioritet. Falë portierit më të mirë të Spanjës, Oblak (8 pritje në këtë sfidë), dhe falë karakterit e unitetit, Atleti ishte shumë lart në krahasim me versionin e shëmtuar të humbjes 0-3 në fushën e Juventusit në Champions.

Pati edhe raste për të shënuar e fituar, me Rodrin e Griezmanin, ndonëse shumë pak në krahasim me katalanasit. Barcelona, për fatin e saj të mirë dhe fatin e keq të kundërshtarëve, ka në fushë pikërisht ata emrat që bëjnë diferencën.

Luis Suarez, një nga personalitetet më të rëndësishëm të ekipit, shënoi golin e parë duke mposhtu më në fund Oblakun në 85’. Një minutë më vonë, Lionel Messi “bëri qejf” me mbrojtjen mike për të shënuar golin e dytë.

“Fitorja ndaj Atletikos ishte një hap i madh përpara për fitoren e titullit, – pohoi Suarezi, – nuk ishte e lehtë, dhe ndeshja mund të kishte përfunduar edhe 0-0, por ia dolëm. Natyrisht, ende nuk kemi fituar, ndërsa tani duhet të mendojmë për Championsin”.

“Ishin tri pikë shumë të rëndësishme, – gjykoi trajneri Valverde, – jemi më pranë titullit, por puna duhet të përfundohet. Jemi shumë të lumtur sepse Atletiko është shumë e fortë, jo më kot në vend të dytë. Nuk kam dyshuar kurrë tek Suarezi, ai ka qenë gjithnjë vendimtar”.

Skuadra e trajnerit Valverde ka tani 73 pikë në 31 ndeshje, duke qenë 11 pikë mbi Atletikon, kur ka edhe 7 sfida për t’u luajtur. Messi ka 33 gola në La Liga e Suarez 20, duke qenë dy golashënuesit më të mirë. Tashmë vëmendja zhvendoset tek dueli në Champions me Manchester United në “Old Traford”. Gazetat vazhduan refrenin.

“Marca”: Tjetër Ligë në kasafortë! Suarez dhe Messi rrëzojnë murin e një Oblaku të jashtëzakonshëm!

“El Mundo Deportivo”: Kampion (edhe pse mungon konfirmimi)! Golat e Suarezit dhe Messit në minutat finale, përcaktojnë titullin përballë një Atletikoje me 10 lojtarë!

“Sport”: Një tjetër Ligë! Dhe tani për Championsin! Barça certifikon titullin e 8-të në 11 vitet e fundit, pasi rrëzoi Atletikon me golat e Suarezit dhe Mesit!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!