Barcelona, Berisha në listë/ Portieri sugjerohet si alternativë te kampionët spanjollë

schedule13:43 - 24 Shtator, 2024

schedule 13:43 - 24 Shtator, 2024

Natyrisht që shanset i ka tepër të vogla.

Etrit Berisha sot nuk po zgjidhet për të qenë titullar në portën e kombëtares shqiptare, dhe është e qartë për moshën 35-vjeçare, por gjithsesi nuk është gjë e vogël që të këshillohet si alternativë e Barcelonës.

Klubi katalanas kërkon zëvendësues pas dëmtimit të rëndë të portierit titullar, Ter Shtegen, dhe sugjerimin për gardianin nga Prishtina e bën jo më pak se e përditshmja kryesore sportive në Katalonjë, “El Mundo Deportivo”.

Berisha është në listën e saj me 10 portierë, ku përfshihen Kejlor Navas, Pavlenka, Karius, Vaclik apo Kubek.

Për momentin ish-kapiteni kuqezi është pa skuadër.

Dikur, tek Barcelona u përfshi Rej Manaj, që luajti me ekipin B sezonin 2020-2021, dhe u bashkua me Mesin me shokë në verën e 2021-it në fazë përgatitore.

Ndërkaq, dy portierë të njohur kanë shprehur gatishmërinë për të veshur fanelën “blaugrana”.

Këta janë Kejlor Navas, që mbetet aktiv, dhe Klaudio Bravo, që për momentin I ka dhënë fund karrierës.

Navas, që ka qenë portier i Realit të Madridit, ka luajtur kohët e fundit tek Paris SG, dhe tek Notingem Foresti.

Ai është 37 vjeç, për momentin pa ekip, ndonëse mbron portën e kombëtares së Kosta Rikës, dhe nëpërmjet agjentit Zhorge Mendes, thotë se është I hapur për të ndihmuar Barcelonën.

Klaudio Bravo është 41 vjeç dhe gjithashtu ka deklaruar se mund të jetë në krah të katalanasve, ku luajti për dy sezone, ndërsa muajin e kaluar njoftoi tëtheqjen nga futbolli./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!