Banorët e Romës dalin në protestë, kritika kryebashkiakes Raxhi

schedule22:30 - 27 Tetor, 2018

schedule 22:30 - 27 Tetor, 2018

Me parullën “Roma thotë mjaft!”, mijëra banorë kanë protestuar për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet Qyteti i Përjetësisë, me rrugët me gropa, mbeturina dhe sistemin e transporteve në kaos. Kritikët fajësojnë kryebashkiaken Virxhinia Raxhi për paaftësi në menaxhimin e situatës.

Disa mijëra qytetarë protestuan të shtunën përpara Bashkisë së Romës, kundër gjendjes në të cilën ndodhet kryeqyteti italian, me rrugët të mbushura me gropa dhe mbeturina. Me parullën “Roma thotë mjaft”, protestuesit deklaruan njëzëri se qyteti i tyre meriton shumë më tepër dhe jo neglizhencën e paprecendentë të pushtetit lokal. “Është një qytet i kapluar nga rrëmuja, ku nuk ka më rregulla dhe kohezion social”, tha një manifestues. Kritikët thonë se prej vitesh Roma, e njohur edhe si Qyteti i Përjetësisë, është pre e degradimit dhe akuzojnë kryebashkiaken Virxhinia Raxhi, e zgjedhur në vitin 2016, se nuk po përmbush premtimet e bëra gjatë fushatës për të pastruar rrëmujën.

Raxhi është anëtare e partisë anti-sistem Lëvizja 5 Yjet dhe erdhi në pushtet pas një seri skandalesh korruptive që kishin përfshirë administratat e mëparshme, tradicionalisht të majta dhe të djathta. E para grua në krye të Bashkisë së Romës, Raxhi ka deklaruar se i duhet më shumë kohë për të zgjidhur pirgun e problemeve, por pretendon se ndryshimet kanë filluar të ndihen. Por për kritikët, gjërat po bëhen më keq. Një grevë e mbledhësve të mbeturinave e ka lënë qytetin me kanoçe të hedhura andej-këtej, pa anashkaluar këtu gropat në rrugë dhe krizën e tejzgjatur që ka përfshirë sistemin e transporteve. Që nga fillimi i vitit, në qytet kanë marrë flakë mbi 20 autobusë urbanë, tregues i mirëmbajtjes së dobët. Ndërsa vetëm të martën, mbi 20 tifozë rusë që ndodheshin në Romë për të ndjekur një ndeshje futbolli u aksidentuan si pasojë e një shembjeje në sistemin e metrosë. Veç kësaj, vdekja këtë javë e një vajze 16-vjeçare, trupi i së cilës u gjet në një ndërtesë të braktisur të përdorur nga shpërndarësit e drogës shtoi frikën për mungesën e rendit dhe ligjit në kryeqytet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!