Banorë të Kukësit kërkojnë kompensim të tokave të përmbytura: Do përshkallëzojmë protestën

schedule20:36 - 16 Janar, 2020

schedule 20:36 - 16 Janar, 2020

Qindra banorë të Kukësit nuk kanë përfituar ende kompensim të tokave apo zëvendësim të tyre që pas përmbytjeve të liqenit të Fierzës. Ata kanë protestuar këtë të enjtë dhe i kanë lënë afat qeverisë që të zgjidhë këtë problem brenda muajit në të kundërt do të spostojnë protestën në Tiranë.

Banorët e disa fshatrave të Kukësit kanë protestuar në lidhje me tokat e tyre që janë përmbytur nga liqeni i Fierzës në vitin 1978 gjatë ndërtimit të hidrocentralit. Ata kërkojnë që tokat ose të kompensohen ose t’ju jepen toka në zona të tjera.

“Ne jemi të përmbytur nga Liqeni i Fierzës. Jemi pa shkollë, pa drita, pa rrugë. Çfarë të bëjmë më parë”, shprehet një prej banorëve.

Ata kanë vendosur t’i lënë qeverisë një muaj afat në të kundërt do të përshkallëzojnë protestën deri tek godina e kryeministrisë.

“Një muaj do të presim, do ti drejtohemi Kryeministrit, Ministres së Drejtësisë, Energjitikës dhe Amabsadave. Nëse nuk kemi përgjigje, populli do të mblidhet në shesh dhe kthim pas nuk ka”, tha një tjetër banor.

Madje një prej banorëve thotë se çështjen do ta dërgojnë në gjykatat ndërkombëtare.

“Do ta çojmë në Gjykatën e Strasburgut, të njihet prona”, u shpreh ai.

Pas përmbytjes së rreth 3000 hektarëve tokë dhe qindra banesave në 34 fshatra të Qarkut Kukës, vetëm 400 familje kanë përfituar kompensim në para apo janë zhvendosur në qytete të tjera ku ju është dhënë edhe tokë. Kurse pjesa tjetër që është shumica, nuk kanë përfituar asgjë./abcnews.al