Palestra në mëngjes, puna gjatë ditës, një trajtim pasdite, darka dhe më pas një hapësirë për t’u çlodhur, të gjitha brenda të njëjtit destinacion. Ky është koncepti që po zhvillohet në Bangkok, ku është njoftuar krijimi i një qendre të madhe mirëqenieje që do të funksionojë 24 orë.
EA Wellness Club do të zhvillohet në kompleksin The Empire dhe synon të bashkojë në të njëjtën hapësirë aktivitetin fizik, rikuperimin, ushqimin, relaksimin, shëndetin parandalues dhe jetën sociale. Projekti është prezantuar sot nga Asset World Corp, në bashkëpunim me VitalLife Scientific Wellness Center.
Ideja është interesante sepse ndryshon modelin tradicional të një qendre mirëqenieje. Në vend që klienti të shkojë për një masazh, një trajtim apo një orë aktivitet dhe më pas të largohet, hapësira është menduar si një destinacion ku mund të kalohen pjesë të ndryshme të ditës.
Planet përfshijnë vlerësime parandaluese të shëndetit, analiza të përbërjes trupore, programe për menaxhimin e peshës dhe stresit, aktivitet fizik, rikuperim dhe programe të personalizuara të mirëqenies. Projekti synon gjithashtu të ketë restorante dhe zona sociale, duke e larguar konceptin nga atmosfera tradicionale klinike.
Ky model reflekton një ndryshim të madh në industrinë e wellness-it.
Për vite të tëra, mirëqenia shitej kryesisht si diçka që bëhej në momente të caktuara: një fundjavë në spa, një abonim në palestër apo një trajtim disa herë në muaj. Tani industria po përpiqet ta integrojë atë në të gjithë mënyrën e jetesës.
Edhe hotelet po ecin në këtë drejtim. Gjumi, ushqimi, aktiviteti fizik dhe rikuperimi po trajtohen si pjesë e së njëjtës eksperiencë. Dhomat projektohen për të reduktuar zhurmën, menutë përfshijnë alternativa më të personalizuara dhe spa-të po zgjerohen drejt diagnostikimit dhe programeve të jetëgjatësisë.

