Balluku në Kuçovë: Ujë të pijshëm për 25 mijë banorë, do të kemi një verë më të mirë

schedule17:54 - 19 Janar, 2021

schedule 17:54 - 19 Janar, 2021

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i AKUM, Alqi Bllako ka ndjekur nga afër punimet në Bashkinë e Kuçovës për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit.

Gjatë inspektimit Balluku u shpreh se projektet e reja nuk duhet dëmtuar, ndërsa shtoi se investimi në fjalë garanton furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për afër 25 mijë banorë.

“Është detyrim dhe përgjegjësi e të gjithë kryebashkiakëve për të pasur një performancë po aq të lartë sa investimet që kërkoni në zonat tuaja. Duhet t’i bashkojmë të gjitha forcat për të arritur një rezultat sa më të mirë”, tha Balluku, ndërsa theksoi se vera e këtij viti do të jetë më e mirë se vitet e kaluara”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e vuri theksin tek investimet që Qeveria Shqiptare është duke realizuar në sektorin e ujit në të gjitha zonat urbane të vendit.

“Ne synojmë që të kemi 24 orë ujë në ditë në të gjitha zonat ku po investohet, për më tepër ne synojmë që të kemi ujë të pijshëm në rubinetat tanë dhe të jetë ujë me cilësi të lartë përsa i përket përdorimit, por sigurisht uji është një shërbim, i cili duhet paguar. Duhet paguar dhe duhet marrë seriozisht, duhet t’a kursejmë dhe duhet të jemi të kujdesshëm me të”, tha Balluku.

/abcnews.al/