Në një intervistë eskluzive për ABC News, Ivo Vajgl, raportues për Maqedoninë në Parlamentin Europian shprehet se në samitin e Sofies nuk priten bisedime për data apo afate, brenda të cilave disa nga vendet e Ballkanit mund të shpresojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Europian. Por samiti duhet të përçojë një mesazh të qartë drejtuar skeptikëve për proçesin e zgjerimit, që rajoni i Ballkanit është një vlerë e madhe e shtuar e Bashkimit Europian. Sipas Vajgl, edhe nëse çështja e emrit të Maqedonisë nuk zgjidhet, atëherë Bashkimi Europian duhet të fillojë negociatatat e anëtarësimit me Maqedoninë.
Cila është pritshmëria juaj nga samiti i Sofjes si raportues për Maqedoninë? Përveç qëndrimit politik, do ketë projekte të rëndësishme?
Ivo Vajgl, eurodeputet: “Pres konfirmimin, që vendet kandidate të hyjnë në Bashkimin Europian në një të ardhme të parashikueshme. Nuk pres bisedime për data apo afate, brenda të cilave disa nga vendet e Ballkanit mund të shpresojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Europian. Por pres të ketë një mbështetje unanime për zgjerimin. Një mesazh të qartë edhe drejtuar politikanëve skeptikëve dhe skeptikëve për proçesin e zgjerimit, që rajoni i Ballkanit është një vlerë e madhe e shtuar e Bashkimit Europian. Lidhur me projektet konkrete, mendoj, se së paku duhet t’i përmbahemi projekteve për të cilat është folur në vitet e shkuara në kuadrin e instrumentit IPA apo programe të tjera. Duhet që të lidhim këtë pjesë të Europës me vendet e Bashkimit Europian dhe kjo do të thotë investime në infastrukturë, trasport, energji”.
Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk gjatë vizitës së tij në Ballkan tha, se progresi i bërë nga të dyja vendet është i maftueshëm për hapjen e negociatave. A mund të themi që jemi në prag të këtij vendimi, apo i frikësoheni shteteve anëtare që mund të bllokojnë proçesin?
Ivo Vajgl, eurodeputet: “Shpresoj të mos ketë akte solo të shteteve anëtare individuale që ndjekin interesat e tyre. Eshtë një çështje kaq e rëndësishme gjeostrategjikle, që Bashkimi Europian duhet të tregojë bashkim dhe jo ndasi”.
Ne dimë aktualisht që shtetet anëtare skeptike për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë janë Gjermania, Holanda, Franca. Ndërkohë që për Maqedoninë mbetet kryesisht Greqia, apo ka vende të tjera skeptike?
Ivo Vajgl, eurodeputet: “Mund të jetë e vërtetë, por nuk dua të supozoj tani. Nëse i referohem çështjes së pazgjidhur midis Greqisë dhe Maqedonisë, ka një ndërvarësi lidhur me emrin e Maqedonisë. Une mendoj, se edhe nëse çështja e emrit nuk zgjidhet, atëherë Bashkimi Europian duhet të fillojë negociatatat e anëtarësimit me Maqedoninë. Negociatat mund dhe duhet të çelen. Ky ka qenë vazhdimisht qëndrimi i Parlamentit Europian. Mendoj, se Këshilli Europian duhet të marrë në konsideratë edhe qëndrimin e Parlamentit Europian”.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria dhe Maqedonia për të bindur vendet skeptike?
Ivo Vajgl, raportues për Maqedoninë në Parlamentin Europian: “Së pari, të dyja vendet duhet të provojnë që kanë një klasë politke mbështetëse për ambiciet e tyre europiane. Kjo do të thotë gjithashtu një bashkëpunim konstruktiv në Parlament midis mazhorancës dhe opozitës. Shpresoj,që ky mesazh të kuptohet nga politikanët, sepse nëse ky oportunitet që ofrohet për të hedhur hapat vendimtare tani nuk shfrytëzohet, kam frikë se e gjithë perspektiva europiane e këtyre vendeve mund të rrezikohet”. /abcnews.al
Gazetare e ABC News: Erisa Zyka