15 mijë vota më shumë ka marrë Partia Socialiste në Qarkun e Elbasanit krahasuar me vitin 2017. Shifrën e bëri publike kryetari i grupit parlamentar socialist. Në mbledhjen me Asambletë e Partisë Socialiste në Elbasan Taulant Balla bëri të qartë se zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në Qershor të vitit 2021.
Një mbledhje falenderimi për votat që i dha qarku Elbasanit Partisë Socialiste. Por edhe qartësimi ndaj çdo pretendimi mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Këto zgjedhje mbaruan por miq. Të tjerat janë zgjedhjet e përgjithshme në qershor të vitit 2021, ta kemi të qartë se mos kanë mbetur dyshime”, tha Balla.
Pasi fshiu çdo dyshim në mendjet e socialistëve, kryetari i grupit parlamentar njëherësh dhe drejtuesi politik i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla kërkoi angazhim nga kryebashkiakët e rinj në mbledhjen që zhvilloi me Asambletë e Partisë Socialiste në Gramsh, Cërrik dhe Librazhd.
“Tani s’ka më llafe, tani ka punë. Duhet që sapo të hyjë kryetari të bëjë detyrat e rëndësishme që e presin”, tha Balla.
Sipas Taulant Ballës, 30 Qershori tregoi se shqiptarëve askush nuk mund t’ua heqë të drejtën për të votuar, për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur.
“Pati një përpjekje të paimagjinueshme, në të cilën u përfshi, jo vetëm opozita, por për fat të keq, edhe Presidenti i Republikës, për t’i hequr të drejtën popullit të Gramshit për të zgjedhur kryetarin e bashkisë. Kjo përpjekje mori fund në 30 Qershor, ne tani duhet të fillojmë menjëherë punën”, tha Balla.
Shifrat e pjesëmarrjes në votime janë mëse të kënaqshme për kreun e grupit parlamentar socialist. Në veçanti në Bashkinë Librazhd morën pjesë 37.54% në zgjedhjet e 30 Qershorit.
Pra, kanë mbetur pa marrë pjesë vetëm 8.5% e popullsisë sipas Taulant Ballës, i cili e justifikon me kushtet e një vape të madh dhe angazhimit në sezonin bujqësor por edhe me klimën jot ë përshtatshme politike./ABC News Albania 24/7