Protesta në dy kohë. Dikur 4 protestues i vriste shteti në bulevard, sot një grup I kamufluar si protestues plagosin policët para parlamentit. Protagonisti mbetet i njëjti, Sali Berisha, ai që dikur i kishte përballë protestuesit e vrarë, sot mbështet protestuesit e dhunshëm.
Jo rastësisht, fiks në ditën e projektrezolutës për SPAK. Dhe po në këtë ditë, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla i kërkoi Prokurorisë së Posaçme të marrë të pandehur Sali berishën si ish-kryeministër për 21 janarin e vitit 2011.
“Presim që urdhëruesi i vrasjeve të 21 janarit , Sali Berisha të thirret të thirret të merret i pandehur dhe të vendoset para drejtësisë. Thonë edhe ju keni bërë 21 janar, por në 21 janar kishte të vrarë nga dora e shtetit 4 protestues, sot ke efektivë të policisë të plagosur nga protestues” tha Balla.
Dhe doktori nuk zhgënjeu. Ashtu si protesta jashtë, edhe PD brenda parlamentit arriti të bllokojë seancën parlamentare, duke mos lejuar diskutimin e asnjë prej projektrezolutave të institucioneve të pavarura me ne krye SPAK.
Rezoluta e parlamentit i kërkon SPAK të vijojë hetimet për zyrtarët e niveleve të larta dhe të zbatojë vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Edhe këtë herë PD me Berishën në kurriz, e detyruar nga hallet e liderit me drejtësinë, nga dosja Partizani tek 21 Janari, nuk e votoi projektrezolutën e SPAK. Ajo u miratua vetëm falë 83 votave të socialistëve ashtu si projektrezolutat për Prokurorin e Përgjithshëm, KLP, KLGJ, ILD dhe Avokatin e Popullit.
Mes protestës dhe drejtësisë, Berisha e ka zgjidhjen e qartë, por i mungojne votat.
“Ky parlament ka vetëm një rrugë, të shkrihet, të shkrihet, nuk përfaqëson më vullnetin e popullit shqiptar” u shpreh Berisha.
Sa për protestën jashtë, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari akuzoi Partinë Demokratike si organizatore hije të protestës së dhunshme para parlamentit.
“Kishte lezet partia e molotovarëve se u dilte përballë, por tani që hedhin gurin dhe fshehin dorën si skuthë që pretendojnë se protesta mund të bëhet me mercenarë të paguar. Të flasë për policinë dhe gardën që s’kanë krahasim me atë që gjetëm në 2013. Largoni njerëzit me kapuçë që aty para se t’i largojë policia! S’keni asnjë të drejtë të pretendoni se përfaqësoni njerëzit aty!” tha ministri.
Kurse kreu i grupit parlamnetar socialist, Taulant Balla shtoi se këtë herë protesta ishte një koktejl mes demokratësh dhe terroristësh të financuar nga regjimi Iranian.
“Është keqardhje që PD jo vetëm që nuk e dënon dhunën, por bie pre e një solidariteti të turpshëm me disa terroristë të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën që nisi kundër dhunës. Persona të identifikuar prej nesh me lidhje të qartë me Gardën Revolucionare të Iranit, janë organizatorët kryesorë të akteve të dhunshme,. Solidarizim i turpshëm i një partie të përdhunuar nga ajo protestë.”shtoi ai./abcnews.al

