Kërkesën e presidentit drejtuar Komisionit qendror të zgjedhjeve për tu njohur me numrin dhe emrat e deputetëve, mazhoranca e ka interpretuar si një gjest paralajmërues për shpërndarjen e Kuvendit. Nga një takim elektoral në Elbasan kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla është shprehur se kryetari i shtetit nuk e njeh mirë Kushtetutën.
Fushatat elektorale Partia Socialiste i ka përqendruar në kundërpërgjigje politike. Kërkesa e Presidentit Ilir Meta drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’u njohur me numrin dhe listat emërore të deputetëve të Parlementit, për mazhorancën është një haber për shpërndarjen e Parlamentit.
“Shkodranët kanë një shprehje, “mos të hyftë vetja në qef, ose të hyftë vetja në qef se e sheh pastaj”.
Presidentit, për fat të keq i ka hy vetja në qef dhe ka hap haberin se gjoja do të shpërndajë Parlamentin. Se çfarë Kushtetute ka Presidenti, nuk e di, por kam frikë mos ka ngatërruar Kushtetutën me bllokun e zi”.
Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla risolli në vëmendje edhe publikimet e revistës amerikane Mother Jones ku pretendohej për financime ruse në Partinë Demokratike.
“Tashmë petët e byrekut u hapën, dhe Lulzim Basha, siç njofton Prokuroria është zyrtarisht, i pandehur.
Thirrja ime përkundrejt institucioneve të drejtësisë , të drejtësisë së re që po lind, është që kjo çështje duhet zbardhur në të gjitha detajet e veta”.
Nga një takim elektoral në Elbasan, Taulant Balla nuk la pa u kujtuar qëndrimin e prerë të mazhorancës socialiste për zgjedhjet e 30 qershorit.
“Pavarësisht se ç’thonë gojët e liga, zgjedhjet do të bëhen në 30 Qershor”. /ABC news Albania 24/7