Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i kërkoi ndjesë shkodranëve për situatën e ndodhur me rastin e kandidatit socialist, Valdrin Pjetrit. Pas konstituimit të Këshillit Bashkiak, Balla deklaroi se Shkodra ka tani Kuvendin e saj lokal, ndërkohë që i bëri thirrje edhe kreu të shtetit të marrë përgjegjësitë që i jep Kushtetuta. Në një tjetër reagim, kryetari i opozitës, Lulzim Basha theksoi se rezistenca e shkodranëve është tregues se shqiptarët nuk e pranojnë dhunën dhe paralajmëroi se beteja me qeverinë do të mbyllet me politikanë me pranga në duar.
Partia Socialiste i kërkoi ndjesë shkodranëve për situatën e krijuar me rastin e Valdrin Pjetrit pas zgjedhjeve të 30 Qershorit. Pas konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak, numri dy i socialistëve Taulant Balla deklaroi se edhe në këtë rast PS demonstroi se jashtë çdo interesi politik qëndroi në anën e ligjit.
“Sot shkodranët kanë “Kuvendin” e tyre të ri lokal, të përbërë nga 51 këshilltarë bashkiakë të zgjedhur në Zgjedhjet Vendore të 30 Qershorit. Duke i uruar Këshillit të ri bashkiak urime në punën e tij shumë të rëndësishme, Partia Socialiste i shpreh ndjesë komunitetit te nderuar të Bashkisë së Shkodrës për situatën e krijuar pas dorëheqjes së detyrueshme të Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë. Por si në çdo rast në qëndruam përtej çdo interesi partiak, politik apo individual, vetëm në anën e ligjit dhe të interesit publik. Si në çdo rast, kur mes palëve politike përfshihen institucionet ligjzbatuese dhe kur bëhet fjalë për raportin e individit me ligjin, Partia Socialiste nuk investohet në asnjë debat. Ligji është i barabartë për të gjithë dhe ai vetëm duhet zbatuar nga kushdo”.
Pas konstatimit të Këshillit Bashkiak të vakancës me kryetarin e Bashkisë, Taulant Balla iu kërkoi institucioneve të marrin përgjegjësitë dhe të zgjidhur situatën e krijuar, duke nënkuptuar shpalljen e një date zgjedhjesh të pjesshme në Shkodër nga ana e Presidentit të Republikës.
“Në lidhje me kompetencën e Këshillit Bashkiak në raport me Kryetarin e Bashkiksë, në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak u konstatua fakti i mosparaqitjes se fituesit si Kryetar Bashkie Shkodër në zgjedhjet e datës 30 qershor 2019, Z. Valdrin Pjetri për të bërë betimin në përputhje me ligjin. Sa më sipër, institucionet e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji duhet të marrin përgjegjësitë që ju takojnë në situatën e krijuar”.
Ndërsa për Lulzim Bashën, rezistenca e treguar nga demokratët e Shkodrës ishte tregues se shqiptarët nuk do të pranojnë dhunën, arrogancën dhe padrejtësitë e pushtetit të Edi Ramës.
“Qëllimi ynë është t’i nxjerrim këta banditë dhe hajdutë nga institucionet, nga parlamenti, nga bashkitë e pushtuara dhunshëm, t’i nxjerrim nga lokalet dhe hotelet luksoze, t’i nxjerrim nga studiot e mediave të kapura, t’i nxjerrim nga ekonomia, e t’i çojmë para ligjit. Tu vëmë prangat dhe t’i pastrojmë institucionet dhe rrugët e Shqipërisë, të pastrojmë ekonominë shqiptare nga këta banditë dhe hajdutë dhe t’ua kthejmë Shqipërinë njerëzve”./ABC News Albania 24/7