Bajrami: Dëshmia e Nuhut ka shumë pika të errëta

schedule21:29 - 2 Tetor, 2018

schedule 21:29 - 2 Tetor, 2018

I ftuar në “Provokacija”me gazetarin Mustafa Nano, gazetari i kronikës në ABC News Armand Bajrami. Një diskutim mbi të vërtetat e ngjarjes më të nxehtë në vend në lidhje me “dhunimin” e Xhisiela Malokut.

Sipas Bajramit e gjithë ngjarja pati një pikë kthese shumë të fortë dhe pasoja shushatëse.

“Kemi 4 procedime penale, 2 në Prokurorinë e Tiranës dhe 2 në Prokurorinë e Krujës pikërisht për këtë çështje. Kjo e bën çështjen serioze në aspektin shtetëror dhe institucional të gjësë, por që u zhvlerësuan në sytë e publikut nga deklaratat e çuditshme të Xhisielës.”

Gazetari u shpreh se në lidhje me deklaratën e vajzës një natë më parë në studion e “Opinion” nga Blendi Fevziu, ai në sytë e tij, ka parë një vajzë të kërcënuar, të fustruar dhe ngushtuar nga mjedisi dhe nga vetja e saj.

I pyetur për korrektësinë e gazetarëve në lidhje me raportimin e ngjarjes, Bajrami tregoi se e gjithë ngjarja u kthye në qendër të vëmendjes për hir të presionit publik dhe presionit mediatik dhe me anë të dinamikave sot u bë e mundur arrestimi i një personi. Ai tregoi dhe mendimin e tij për deklaratat e fundit të Xheisilës.

“Xhisiela ka qenë e lëkundur ç’ka mua më bën të jem i bindur se ajo është e pavërtetë në ato ç’ka tha mbrëmë të paktën publikisht. Ajo ka qenë e lëkundur jo vetëm mbrëmë, madje po të bënim dallimin ndërmjet dy intervistave që janë transmetuar natën e mbrëmshme, ka pasur luhatje. Por edhe në prokurori Xhisielës i janë marrë 7 herë deklarimet. Nga nisja e kësaj historie në korrik është pyetur 7 herë nga anëtarë të grupit hetimor dhe në të 7-a deklarimet e dokumentuara ka luhatje, thënie dhe kundërthënie të saj.”

I pyetur nga gazetari Nano, Bajrami tregoi dhe këndvështrimin e tij në lidhje me çështjen “Nuhu” dhe se si qëndronte figura e ish-zyrtarit në këtë situatë.

“Në bindjen time personale dhe informacione zyrtare e jozyrtare mund të them me siguri se në dëshminë e oficerit Nuhu ka pika shumë të errëta. Për mua pika më e errët është prania e zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste në zyrën e tij, në stacionin policor të Fushë-Krujës. Nuk e besoj fare dhe është një pikë mjaftueshëm e errët. Kjo për arsye se Emiljano Nuhu ka qenë një nga punonjësit elitarë të policisë së shtetit, njeri i mësuar me rrezikun, presionin dhe unë do të doja që ai të kishtë një provë më shumë që të mos mbeteshim vetëm tek deklarimet dhe dëshmia e tij.”

Gazetari Bajrami, për fundin e kësaj situate thotë se kjo histori solli dhe një herë në fokus vrazhdësinë shqiptare në raportin mashkull-femër duke personifikuar Xhiisielën me shoqërinë shqiptare të 30 viteve të fundit, e cila pajtohet me dhunuesin dhe në një moment kur vendos të hedhë krye, pendohet dhe qëndron aty ku ishte./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!