Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka reaguar për herë të parë pas publikimit nga deputeti i PD, Ervin Salianji të videos së kunatit të Babales, Fredi Alizoti që implikon drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Xhafaj deklaroi se opozita i ka dalë në krah krimit dhe po sulmon Policinë e Shtetit me llumin e shoqërisë.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, iu përgjigj interesit të medias lidhur me dosjen e njohur si “Babalja”, ku opozita akuzon qeverinë, prokurorinë dhe policinë se po bëjnë gjithçka për të nxjerrë të pastër Agron Xhafaj.
“Unë jam i pozicionuar qartë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar. Pala tjetër ka zgjedhur një rrugë tjetër që është rruga që ti dalë krahë krimit, duke sulmuar policinë dhe strukturat e angazhuara në luftën kundër krimit të organizuar. Kanë zgjedhur partnerë të gabuar, llumin e këtij vendi”, tha ministri.
Shefi i Ministrisë së Brendshme tha se është një çështje që i takon drejtësisë, duke nënvizuar se ka kulturën e nevojshme politike dhe ligjore që të respektojë autoritetet e drejtësisë.
Nuk do preferoja të bëja një koment për këtë çështje për një arsye fare të thjeshtë se kjo është një çështje që i takon drejtësisë. Unë besoj se kam kulturën e nevojshme politike, institucionale, dhe ligjore që të respektoj në çdo rast autoritetet e drejtësisë dhe vendimmarrjen e tyre. Përsa i përket çështjes që përflitet është një çështje që besoj se është në hetim të plotë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. U takon atyre dhe gjykatës që të japin verdiktin”, u shpreh Xhafaj.
Deklarata e Xhafajt vjen pas publikimit të një video nga deputeti demokrat Ervin Salianji, ku në të shfaqej një person i quajtur Alfred Alizoti, i cili deklaron se është takuar me Taulant Ballën dhe se është shoqëruar në Prokurori, nga kreu i policisë Ardi Veliu.
“Kam përzgjedhur instrumentet e ligjshëm si Forca e Ligjit dhe task forca por edhe kam përzjedhur dhe e duhur partnerët siç janë partnerët gjermanë”, tha ai.
Alfred Alizoti, cilësohet nga Prokuroria e Krimeve te Rënda si personi që interpretoi zërin e Agron Xhafajt, ndërsa ndaj tij gjykata ka vendosur masën e “arrestit në burg” deri në përfundim të hetimeve./abcnews.al