“Babalja”/ Fredi Alizoti: I gatshëm të ballafaqohem me Albert Veliun

schedule15:02 - 14 Tetor, 2018

schedule 15:02 - 14 Tetor, 2018

Fredi Alizoti, i vetëdeklaruar si aktori i zërit të Agron Xhafajt në audio-përgjiminqë trazoi politikën shqiptare, është i gatshëm të përballet me “Babalen”. Avokati i Alizotit tha për “ABC News” se do të kërkojë në vijim këtë lloj veprimi hetimor.

Fredi Alizoti, i dyshuari si imituesi i zërit të vëllait të ministrit të brenshëm në audiopërgjimin  e “Babales”, është i gatshëm të përballet me Albert Veliun.

Pretendimi i 45 vjeçarit, që deklaroi para prokurorëve se iu premtuan 100 mijë euro për aktrimin e Agron Xhafajt, u konfirmua për “ABC News” nga avokati i tij, Ilir Dode.

I kontaktuar përmes telefonit, avokati Dode tha se ballafaqimi mes Alizotit dhe Veliut është një nga veprimet hetimore që do të kërkohet edhe prej tij në vijim.

“Klienti im është i gatshëm për një ballafaqim me Albert Veliun, pasi ka interes të dalë në dritë e gjithë e vërteta që pretendon. E vërteta që i mbrojturi prej meje ka pohuar edhe në deklarimet e tij para Prokurorëve për Krimet e Rënda. Në ditët në vijim, në funksion të një hetimit të plotë dhe të gjithanshëm, do të kërkojmë kryerjen e një ballafaqimi, por edhe të disa veprimeve të tjera hetimore”.

Por ky veprim duket në kufijtë e të pamundurës derisa Albert Veliu të jetë në duart e autoriteteve shqiptare. Aktualisht “Babalja” ndodhet në Kosovë në statusin e azilkërkuesit politik. Të enjten ai u arrestua nga Policia e Kosovës bazuar në një masë sigurie “arrest në burg” caktuar për të në mungesë nga Krimet e Rënda, por një ditë më vonë Gjykata Themelore e Prishtinës e liroi, duke refuzuar kërkesën e prokurorisë për izolim në paraburgim. Në mungesë të një marrëveshjeje ekstradimi me Kosovën, sjellja e tij në Shqipëri pritet të bazohet në marrëveshjet përkatëse juridike ndërshtetërore për dorëzim në pikëkalimin kufitar.

Aktualisht për çështjen “Babalja” Prokuroria për Krimet e Rënda ka regjistruar si persona nën hetim Albert Veliun, Fredi Alizoti, gazetarin Jetimir Olldashi dhe deputetin Ervin Salianji. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!