EMRAT/ Babai vrau djalin me çekiç, zbardhet ngjarja e rëndë në Maliq

schedule09:15 - 18 Shkurt, 2023

schedule 09:15 - 18 Shkurt, 2023

Është zbardhur ngjarja e rëndë që ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Zvezdë të Maliqit. Mësohet se është arrestuar Shefki Bylykbashi, si autor i dyshuar i vrasjes së djalit të tij, Hamdi Bylykbashi.

Sipas policisë, fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se viktima, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë. Mirëpo, pas hetimeve është zbuluar se 50-vjeçari i dehur është konfliktuar në banesë me babain, të cilin ka dashur t’a hedhë në pusin e ujit në oborr.

Si pasojë, 77-vjeçari e ka goditur disa herë në kokë me çekiç dhe ka mbetur i vdekur.

 

Njoftimi i Policisë:

Maliq/U raportua fillimisht si ngjarje aksidentale, por pas hetimeve të thelluara nga grupi hetimor zbardhet ngjarja e ndodhur pasditen e djeshme, në fshatin Zvezdë, ku humbi jetën 50-vjeçari H. B.

Vihet në pranga babai i viktimës, autor i dyshuar i vrasjes (me sende të forta) të djalit të tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pasditen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Korçës, ishte sjellë i pajetë shtetasi H. B., 50 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq, menjëherë kanë shkuar në spital dhe në vendngjarje, me qëllim verifikimin e rastit.

Fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se 50-vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë.

Pas hetimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor i përbërë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatin e Policisë Maliq dhe specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, u bë e mundur zbardhja e plotë e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se pasditen e djeshme, 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babain Sh. B., 77 vjeç, të cilin ka dashur t’a hedhë në pusin e ujit në oborr.

Më pas 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me mjete të forta (çekiç që përdoret për të thyer gurë), ku si pasojë e dëmtimit të rëndë, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. B., 77 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!