Avokatja shqiptare në Rumani bën mbi 4000 km udhëtim me Vespa: Askush nuk e besonte

schedule10:30 - 13 Korrik, 2023

schedule 10:30 - 13 Korrik, 2023

Erini Dima Karanxha është juristja shqiptare, e cila ka themeluar klubin e Vespës në Bukuresht. Ajo ka një pasion aq të madh për këtë motoçikletë, sa që ka bërë udhëtime nga më të gjatat. Më i fundit ishte në Zvicër, për të cilin Erini ka folur dhe në “ABC e Mëngjesit”.

Ndër të tjera, ajo ka theksuar se pasioni për këtë motoçikletë i ka nisur që në moshë të vogël, kur babai e merrte me vete në Korçë si pasagjere.

“Këtë vit shkova në Zvicër dhe është udhëtimi më i gjatë që kam bërë ndonjëherë me Vespën. Jam shumë e lumtur që shkova në Zvicër dhe sidomos me Vespën, e cila është një motoçikletë shumë e vogël dhe asnjë nuk e besonte që do të mund të bënte diçka pa pasur ndonjë problem dhe jam shumë e gëzuar që arritëm.

Nuk ishte kjo hera e parë për mua. Kam shkuar në Turqi për herë të parë para dy vitesh. Në Turqi nuk ishte aq e vështirë sepse janë vetëm nja 800 km nga Bukureshti. Vjet shkova në Hungari dhe Serbi, edhe tani në Zvicër.

Babai im ngiste një motoçikletë të madhe, në periudhën që isha unë në Korçë. Edhe gjithmonë më merrte me vete. Mbaj mend që atëherë nuk mbahej as kasketa dhe e kisha shumë të vështirë me flokët se ngatërrohesha. Po isha shumë e gëzuar me babin, sa ky pasion i imi ka lindur që atëherë”, tregoi Erini./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!