Avni Ponari: Qeveria nuk ka ndihmuar në organizimin e turneut zyrtar eliminator për U-16

schedule10:56 - 14 Korrik, 2019

schedule 10:56 - 14 Korrik, 2019

Shqipëria është vendi organizator i një turneu zyrtar eliminator për basketboll që do të zhvillohet nga data 14 deri në datën 21 Korrik. Presidenti i FSHB, Avni Ponari tha për Abc Neës se nuk ishte aspak e lehtë organizimi i një eventi të tillë.

Një turne zyrtar eliminator për basketboll do të zhvillohet në Shqipëri, nga data 14 deri në 21 Korrik. Divizioni C në grupin A për moshën 16 vjeç për djem do të zhvillojnë ndeshjet e tyre eliminatore në Shqipëri, në sallën “Feti Borova”.

Në këtë grup marrin pjesë skuadrat e Shqipërisë, Skocisë, Moldavisë, San Marinos,Luksemburgut, Andorrës, Maltës dhe Uellist për moshën U-16. Përpara startit të eventit janë mbledhur edhe përfaqësuesit e grupit organizator me përfaqësues të federatave të shteteve pjesëmarrëse. Për këtë event, presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, njëherësh edhe presidenti i vendit organizator, theksoi masat e marra për këtë kompeticion.

“U deshën ndodhsha dy vjet për të krijuar bindjen dhe për të dhënë mundësinë që Shqipëria të ishte ftuese e njëra prej grupeve e vogla, por shumë të rëndësishme të këtij kampionati evropian, që është U-16. Kjo organizohet për herë të parë në Shqipëri. Është një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë pasi janë rreth 12 shtete pjesëmarrëse në këtë veprimtari, pra prania e tyre jep një jehonë dhe një lloj inspirimi të basketbollit në Shqipëri”, tha Ponari.

Ndërkaq, në lidhje me skuadrën shqiptare dhe tërë ekipet kombëtare të moshave, presidenti i FSHB-së theksoi.

“Ajo që është e rëndësishme është që kjo U-16 e sotme pas 2-3 viteve ndoshta do të jetë ajo kombëtare shqiptare kur të jenë në moshën 20-vjeçare. Është shumë e vështirë të organizosh aktivitete në Shqipëri, aq më tepër që Federata e Basketbollit është një federatë që nuk ka të ardhura, nuk prodhon të ardhura. Shqipëria nuk ka mbështetjen e duhur. Për këtë aktivitet asnjë nga institucionet shtetërore nuk u tregua i kujdesshëm që të jepte sadopak një ndihmë, qoftë financiare apo ta mbështeste në zhvillimin e këtij aktiviteti, por të gjithë u larguan. Vështirësitë qenë të shumanshme dhe të shumëllojshme duke përfshirë edhe pallatin e sportit, për të cilën u desh një kohë shumë e gjatë dhe më e çuditshmja është që ne për pallatin e sportit edhe në ditët e ndeshjeve do të paguajmë para. Një federatë e cila nuk ka asnjë të ardhur dhe është e detyruar që në këtë veprimtari kaq të rëndësishme kur mund të ishte qoftë Ministria e Arsimit, qoftë Bashkia e Tiranës, t’ia jepte pallatin e sportit së paku për të bërë ndeshjet pa pagesë”, tha Ponari.

Ndeshjet do të nisin nga dita e dielë në palestrën sportive “Farie Hoti” në kryeqytet. Sfidat e këtij divizioni i hap takimi Skoci-Shqipëri, të djelën në orën 13.30. Më tej, çdo ditë do të zhvillohen ndeshjet e tjera sipas programit.

Pas Skocisë, kombëtarja shqiptare do të luajë të hënën me Moldavinë, e më pas me San Marinon dhe në fund me Luksemburgun. Falë FSHB-së dhe lobimit të saj të fortë, ndeshjet e këtij grupi iu besuan këtë radhë Shqipërisë për t’i organizuar./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!