Rritja e çmimit të ujit në Tiranë nuk është e bazuar në analizë konkrete. Vlerësimi është i Autoritetit të Konkurencës, i cili përmes një vendimi është shprehur kundër tarifave të reja të Bashkisë së Tiranës.
Autoriteti i Konkurencës kundërshton rritjen e çmimit të ujit për banorët e bizneset në Tiranë pasi vlerëson se tarifat janë të pabazuara në analiza korrekte.
Përmes një vendimi marrë në fund të muajit dhjetor Konkurenca ve në dukje se ndërmarrja e Ujësjellës –Kanalizimeve peshën më të madhe të të ardhurave për kryerjen e investimeve në rrjet e vendos tek rritja e kostos dhe jo tek përmirësimi i menaxhimit.
“Të rishikohen kostot në drejtim të rritjes së performancës së administrimit dhe të rishpërndahen burimet e të ardhurave të kërkuara për investime edhe nga ulja e kostove të operimit dhe mirëmbajtjes pasi sipas vendimit të ardhurat do të vijnë në masën 96% nga rritja e tarifave, dhe vetëm 4% nga rritja e nivelit të faturimit”, thuhet në vendim.
Sipas Autoritetit të Konkurencës rritja e tarifave duhet të jetë graduale dhe në përputhje me kriteret e performacës dhe në mënyrë të veçantë të furnizimit me ujë.
“Aksionarët e UKT për ta bërë tregun sa më efiçent duhet të vlerësojnë mënyrat alternative të financimit të nevojave financiare të UKT nëpërmjet kredive të buta/të lehtësuara ose nëpërmjet obligacioneve të qeverisjes vendore sipas Ligjit nr. 10 158, datë 15.10.2009 “Për obligacionet e shoqërive aksionare dhe qeverisë vendore”, rekomandon Autoriteti i Konkurencës.
Pas këtij vendimi të Autoritetit të Konkurenës ABC News pyeti Bashkinë e Tiranës për qëndrimin që do të mbajë, por nuk mori një përgjigje.
Tarifat e furnizimit me ujë në Tiranë me nisjen e muajit janar janë rritur me 20 lekë për metër kub ose sipas konkurencës me 44% për familjarët, 17% për klientët publik dhe 15% për klientë privat./abcnews.al

