Audioregjistrimi Biba-Bianku, Manja: Bisedë kafeneje mes miqsh

schedule13:46 - 29 Gusht, 2018

schedule 13:46 - 29 Gusht, 2018

Pushimet e kryetarit të Partisë Demokratike nuk kaluan pa u vënë re nga socialistët, por ajo që i ka prekur më shumë është deklarata e kreut demokrat ndaj audiopërgjimit të publikuar.

“Ai doli për t’i bërë jehonë një kasete edhe më qësharake se ajo e Babales, ku kishte të paktën një skenar. Qesharak, qesharak, por skenar ishte ama”, u shpreh Manja.

Deputeti socialist doli para mediave të sqarojë gjithashtu se audiopërgjimi nuk është gjë tjetër veçse një një bisedë mes miqsh.

“Dy miq Denar Biba dhe Ledio Bianku flasin me njëri-tjetrin në një kafe në vitin 2014 dhe na del një përgjim me fjali të shkëputura e të lidhura për shtatë palë qejfe prej më x sekondash ku u bënka fjalë për një shantazh të narkoshtetit ndaj Gjykatës së Strasburgut. Hajde shantazh hajde”, tha Manja.

I shantazhuari Ledi Bianko nuk ka asgjë në dorë në Strasburg lidhur me çështjen e pronave pretendon Partia Socialiste. Madje edhe vizita e delegacionit shqiptar në vitin 2014 ishte mëse i justifikuar sipas Ulsi Manjës.

“Pra delegacioni shqiptar vajti në 2014-n në Strasburg për një ligj të Shqipërisënë lidhje me trajtimin e çështjes së pronave dhe që më pas u iratua në vitin 2015. Atëherë ç’na qenka ky shantazh që na paska bërë Denar Biba në Strasburg ku tema e punës së atij delegacioni dhe e vetmja punë midis dy miqve në kafe ishte ligji i miratuar në Kuvend, që si çdo ligj për pronën merret në shqyrtim në një strukturë të caktuar brenda Gjykatës së Strasburgut”, tha Manja.

Qeveria e PD-së nuk bëri asnjë hap për rekomandimet e Gjykatës së Strasburgut. Madje nuk ka dhënë llogari për katrahurën me pronat në Shqipëri deklaron deputeti socialist, i cili e mbyll deklaratën e tij me realitetin që duhet të pranojnë.

“S’ke çi bën. Ky taksirat na ka zënë si mazhorancë qysh ditën ku Lulzim Basha në krye të opozitës mori si zanat të ri atë të specialistit të audio përgjimeve”, përfundoi deklaratën deputeti i PS-së./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!