Audiopërgjimi/ Në kërkim të “Ermalit”, prokuroria po verifikon mes policëve në detyrë

schedule15:28 - 22 Maj, 2018

schedule 15:28 - 22 Maj, 2018

Pasi emri i Ermalit, punonjës policie së Vlorë, u përmend gjatë audioregjistrimit të publikuar nga Partia Demokratike, ABC News ka mësuar se prokuroria po heton të gjithë drejtuesit e bluve të qarkut Vlorë me këtë emër, që kanë pasur funksion në periudhën Shtator-Dhjetor 2017.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur verifikimet pas përmendjes së emrit të një punonjësi të policisë në qarkun Vlorës gjatë audioregjistrimit të publikuar nga Partia Demokratike javën e kaluar.

Në atë përgjim, dëshmitari X, Albert Veliu dhe gazetari invesigativ, Jetmir Olldashi, pretendojnë se drogën përtej detit, do ta kalonin nëpërmjet efektivit me emrin Ermal.

ABC News ka verifikuar punonjësit e policisë së qarkut Vlorë, që kanë pasur rol drejtues në periudhën 2016-2017. I vetmi që ka pasur post drejtues në atë qarku ka qenë Ermal Haxhi, i cili nga Shtatori deri në Dhjetor 2017 ishte shef stacioni në Policinë e Dhërmiut. Për këtë emër, Pokuroria e Krimeve të Rënda nuk jep informacion, duke thënë se, është çështje në hetim dhe mund të dëmtohen provat.

Ndërkohë paralelisht, organi i akuzës po verifikon të gjitha tabulatet telefonike, të punonjësve të policisë së qarkut Vlorë, me emrin Ermal për të vërtetuar, nëse ka pasur bashkëpunim, ndërmjet efektivëve blu me trafikantët e lëndëve narkotike.

Përgjimi i kryer në lokalin e Agron Xhafaj nga Veliu ka ndodhur në Tetor të vitit 2017, ku sipas dëshmitarit Albert Veliu, pretendohet se për trafikun e drogës duhet të takohet me punonjësin e policisë të quajtur Ermal. 

Të hënën, tre zyrtarë të Partisë Demokratike, që denoncuan audiopërgjimin e një bisede për trafik drogë, u paraqitën tek Prokuroria për Krimet e Rënda. Ata iu përgjigjën thirrjes së prokurorisë për t’u pyetur në lidhje me hetimin e nisur për rastin. Përveç deputetëve dha shpjegime edhe gazetari Jetmir Olldashi, personi që mori përsipër autorësinë e intervistës së Albert Veliut dhe të audiopërgjimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!