Audiopërgjimi i Xhafajt, thirren për të dëshmuar zyrtarët e PD

schedule12:35 - 21 Maj, 2018

schedule 12:35 - 21 Maj, 2018

Tre zyrtarë të Partisë Demokratike dhanë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dëshminë e tyre në lidhje me audiopërgjimin e bërë publik pak ditë më parë mes dëshmitarit Arbert Veliu dhe vëllait të ministrit të Brendshëm Xhafaj. PD-ja tashmë do të jetë dhe palë në hetim, pasi me ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale, pala e viktimës mund të përfaqësohet në proces. Po sot dëshmoi në prokurori dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili bëri audioregjistrimin.

Tre zyrtarë të Partisë Demokratike që denoncuan audiopërgjimin e një bisede për trafik drogë, ku pretendohet të marrë pjesë vëllai i ministrit të Brendshëm u paraqitën të hënën tek Prokuroria për Krimet e Rënda. Ata iu përgjigjën thirrjes së prokurorisë për t’u pyetur në lidhje me hetimin e nisur për rastin.

Të parët që mbërritën në godinë ishin këshilltari juridik i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi dhe deputeti Ervin Salianji.

Pasi dha shpjegime para prokurorëve Gentian Osmani dhe Përparim Kulluri, si person që ka dijeni mbi rrethanat e hetimit, Bardhi tha se prokuroria ka gabuar në radhën e personave të thirrur për t’u pyetur.

Gazment Bardhi: Dhe shtetasi i përfshirë në trafik droge, që është vëllai i ministrit të Brendshëm nuk është marrë në pyetje, por jemi marrë ne, nuk është marrë ministri i Brendshëm, që i lehtëson veprimtarinë kriminale të vëllait, nuk është marrë në pyetje kryeministri, që ka krijuar një alibi publike se gjoja zëri nuk është i Agron Xhajaft”.

Deputeti Salijani tha se kishte dhënë çdo shpjegim për ngjarjen.

Ervin Salianji:“Por prokuroria është përfshirë më shumë në kallëzimin e rremë, sesa në kapjen e grupit të strukturuar kriminal. Shpejtësia që duhet të jetë për hetimin duhet të jetë me zbulimin e kapjen e grupit të strukturuar kriminal. Është fakt që të them unë nuk jam Ervin Salianji këtë përgënjeshtrim bën dhe Agron Xhafaj”.

Deputeti Enkelejd Alibeaj u paraqit në prokurori rreth orës 13:00.

Pasi përmendi ndryshimet ligjore të Kodit të Procedurës dhe parashikimin se viktimat kanë të drejtë të përfaqësohen në hetim, ai mori përsipër publikisht këtë rol.

Enkelejd Alibeaj: “Duke qenë se Kodi i Procedurës Penale, ligji ka ndryshuar dhe parashikon ndryshime që përfaqësues të viktimave, kanë të drejtë të marrin një pozitë proceduarale brenda procedimit penal. Unë shfrytëzova këtë mundësi, qoftë edhe në statusin e deputetit, përfaqësues i publikut, viktima e madhe e fenomenit kriminal të trafikimit të narkotikëve. I bëra kërkesë prokurorisë që sot e në vazhdim të jem përfaqësues i viktimave të këtij fenomeni kriminal. Që do të thotë, sipas parashikimeve ligjore unë deputeti Enkelejd Alibeaj kam të drejtë të kërkoj thirrje dëshmitarësh, bërje aktesh, akte të tjera hetimore, si një mundësi që procesi penal të mos merret peng nga Rama dhe nga Xhafaj”.

Përveç deputetëve, të hënën para prokurorëve ka dhënë shpjegime edhe gazetari Jetmir Olldashi, personi që mori përsiër autorësinë e intervistës së Albert Veliut dhe të audiopërgjimit. Olldashi ka dhënë shpjegime të hollësishme mbi investigimin, mënyrën e kryerjes së përgjimit apo veprime të tjera të kryera prej tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!