Audio-Përgjimi i PD/ Pyetet në dy prokurori “Bashkëpunëtori x”

schedule18:41 - 18 Maj, 2018

schedule 18:41 - 18 Maj, 2018

Për gati 5 orë e 30 minuta Prokuroria për Krimet e Rënda mori në pyetje Albert Veliun, të konsideruarin si “Bashkëpunëtori X” në përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike. Përveç shpjegimeve prokurorët administruan një regjistrim zëri të Veliut për ta pasur si provë krahasuese. 

Albert Veliu, personi i konsideruar si “Bashkëpunëtori x” në audio-përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike dha shpjegime të premten para prokurorëve të Krimeve të Rënda.Për gati 5 orë e 30 minuta ai u pyet për përmbajtjen e videos në të cilën pranon se ka bërë një bisedë me vëllanë e ministrit të Brendshëm në lidhje me trafikimin e një sasie droge.

Veliu mbërriti në institucion në orën 10:30. I pashoqëruar nga një avokat ai i dha përgjigje pyetjeve të prokurorit Përparim Kulluari, për llogari të procedimit penal pa emër të regjistruar tek Krimet e Rënda për akuzën e “trafikut të narkotikëve”.

Burime të rezervuara pohuan se Veliu i ka qëndruar pretendimeve të shfaqura në videorrëfimin e tij të publikuar nga PD te enjten.

Në përfundim të seancës së marrjes në pyetje, prokurorët e krimeve i kanë bërë një regjistrim zëri Albert Veliut, për ta pasur si mostër krahasuese gjatë vazhdimit të hetimit të nisur.

Ndërsa ishte në zyrat e prokurorisë, avokati i tij, Artan Murrizi, qëndroi në hollin e godinës. Në përfundim të marrjes në pyetje, Veliu u largua me automjetin e avokatit përmes tunelit nëntokësor të godinës.

Gjatë kësaj kohe në ambientet e jashtme të Prokurorisë u vu re edhe prania e agjentëve civilë të Forcave Operacionale të policisë.

Kjo përballje me prokurorët ishte e dyta për Albert Veliun në harkun e pak orëve. Mbrëmjen e së enjtes ai u pyet në Prokurorinë e Tiranës, e cila po heton kallëzimin e bërë nga Agron Xhafaj, vëllai i ministrit, kundër tre zyrtarëve të Partisë Demokratike me pretendimin se audi-përgjimi është i rremë.

Burime pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda konfirmuan për “ABC News” se procedimi penal për “trafik narkotikësh” i nisur tek Krimet e Rënda dhe ai për “kallëzim të rremë” në Prokurorinë e Tiranës pritet të bashkohen në një të vetëm./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!