Atentati ndaj familjes Halili, makina e autorëve u vodh në Vlorë

schedule14:45 - 15 Gusht, 2018

schedule 14:45 - 15 Gusht, 2018

Automjeti i cili u gjet i djegur në Fushë-Krujë mëngjesin e së martës, ishte vjedhur në Vlorë në korrik të 2016-s. Fouristrada luksoze u përdor për të larguar atentatorët nga Kamza, që më herët kishin terrorizuar familjen Halili, duke qëlluar me armë zjarri e vendosur tritol.

Zbardhen të tjera detaje nga atentati me eksploziv dhe plumba në drejtim të familjes Halili të ndodhur mëngjesin e së martës në Kamëz. ABC News ka mësuar nga grupi hetimor se, automjeti që u përdor për të larguar atentatorët nga vendi i ngjarjes e më pas u gjet i djegur në zonën e Fushë-Krujës, rezulton i vjedhur në Vlorë.

Sipas policisë së Tiranës, fuoristrada “Mercedes-Bezn, ML” ishte denoncuar si e grabitur në qytetin bregdetar nga pronari i saj në gusht të 2016. Hetuesit dyshojnë se automjeti i vjedhur në Vlorë, i prodhuar në 2013-n, mund të jetë përdorur edhe për disa ngjarje të rënda kriminale që kanë mbetur ende të pazbardhura në zonën e Fushë-Krujës. Kjo ka qenë një nga arsyet që atentatorët shkrumbuan mjetin luksoz bashkë me dy automatikë tip kallashnikov që ishin përdorur në biznesin e familjes Halili.

Për ngjarjen, u shoqëruan 7 persona në Komisariatin nr.5, të Kamzës dhe pas marrjes në pyetje u lanë të lirë. Vëllezërit Shkëlqim dhe Klevis Halili, të cilët janë edhe pronarët e kompleksit ku ndodhi shpërthimi me lëndë palsëse, nuk e kanë ndihmuar grupin hetomor, duke mos dhënë shumë hollësira për konfliktet e tyre në të kaluarën. Ata janë mjaftuar me faktin se, gëzojnë respekt dhe në ambientin e lokalit të tyre nuk ka pasur sherre. Pistat që po hetohen janë dy. E para lidhet me të kaluarën e vëllezërve Halili jashtë vendit, ndërsa tjetra është konkurenca në biznesin në zonën e Kamzës./abcnews.al