Atentati me tritol në Fier, flet para hetuesve Memo

schedule19:02 - 23 Prill, 2018

schedule 19:02 - 23 Prill, 2018

38-vjeçarit në Fier që iu vendos tritol në makinë ka deklaruar se ka konflikte për pronën. Por ai deri tani nuk ka dhënë një emër konkret që fshihet pas ngjarjes. Më të dyshuar, sipas policisë, janë disa kushërinj të largët të Ervin Memos që prej shumë vitesh pretendojnë tokë tek një pasuri që familja Memo thotë se ua ka dhuruar gjyshi.

Atentati me tritol në makinë ndaj 38-vjeçarit Ervin Memo duket se i ka rrënjët tek toka e gjyshit.

Të pakten kjo është pista kryesore e hetimit që ka përzgjedhur grupi hetimor në Policinë e Fierit.

Por edhe vetë i lënduari ka deklaruar se të vetmet konflikte që ka janë për pronën. Por sipas tij, debatet nuk kanë qenë aq të ashpra sa të duan ta vrasin ndërkohë që nuk ka një emër të dyshuar për ngjarjen.

Bëhet fjalë për disa konflikte të hershme dhe të vazhdueshme midis familjes Memo dhe kushërinjve të tyre të largët për një tokë të trashëguar.

Nga informacionet e siguruara nga policia, një pronë në periferi të Fierit, një pjesë e saj e kthyer në vreshtari, familja Memo e ka trashëguar nga të parët e tyre. Por për këtë pasuri kanë pretenduar dhe pjestarë të tjerë të fisit.

Kjo ka shkaktuar konflikte mes paleve deri në hapjen e proceseve gjyqësorë që para 15 viteve. Grupi hetimor mori në pyetje shumë persona, kushërinj e të njohur të Ervin Memos, por ende nuk ka arritur tek autori që vendosi eksplozivin ne makinën e tij.

38-vjeçari aktualisht është në spital jashtë rrezikut për jetën. Ai hyri në makinë për ta lëvizur atë nga parkimi dhe eksplozivi ishte në sediljen e pasagjerit.

Mjeti tip “Benz” kishte kohë i lënë në atë vend poshtë banesës pasi Memo e kishte nxjerrë në shitje.

Shpërthimi që besohet se u bë me telekomandë ishte aq i fuqishëm saqë banorët e Fierit qëndruan tërë natën jashtë./abcnews.al