Atentati me snajper në Vlorë/ Eksperti i kriminalistikës: Arma e përdorur, nga një profesionist. Vrasësi mund të jetë edhe ish ushtarak

schedule23:35 - 8 Janar, 2024

schedule 23:35 - 8 Janar, 2024

Eksperti i kriminalistikës, Artan Rexhepi thotë se atentati në Vlorë, ku mbeti i vrarë 23-vjeçari Gëzim Sinomati, mund të jetë kryer edhe nga një ushtarak, pasi arma e përdorur, snajperi, mund të përdoret nga profesionistë të nivelit të lartë.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Rexhepi u shpreh se atentati ishte i mirëorganizuar dhe ka pasur kosto të mëdha.

Sipas ekspertit, nuk përjashtohet mundësia edhe e ngatërrimit të objektivit, por kjo ndodh nëse snajperisti nuk e njeh objektivin.

“Një armë të sofistikuar snajperi mund ta përdorë një profesionist i nivelit të lartë. Kam punuar me vite në polici, nuk mund të pretendoj se di të qëlloj mirë me snajper, snajperi ka shumë elementë. Ka një sërë faktorësh, duhet të jesh profesionist. Autorët, është zgjedhja e tyre. Ndoshta afrimi ka qenë i pamundur, ndoshta ka pasur masa sigurie, flitet që i ati vinte nga banda e Gaxhait, mbase nuk ka qenë e mundur që të afrohen. Për të përcaktuar pikën e mundshme të qëllimit, nuk është e vështirë. Mjafton të vendosësh lazerin në njërin nga pikat dhe shkon në pozicionin e saktë të qitësit. Snajper nga automjeti, duket e pamundur, përjashtojnë njëra-tjetrën. Goditja me snajper kërkon një profesionist, mund të jetë edhe killer me pagesë. Mund të jetë ndonjë ish ushtarak, ushtarak policie ose i forcave komando. Ka komando shumë të përgatitur, duhet të ketë një databazë për trupat e specializuara. Nuk përjashtohet mundësia, mund të jetë edhe ndonjë killer i ardhur nga jashtë.

Nuk përjashtohet mundësia edhe e ngatërrimit të objektivit, kjo ndodh nëse snajperisti nuk e njeh objektivin. Një pistë është hedhur. Pista e parë, mund të jetë ndonjë përfshirë të drejtpërdrejtë në ndonjë vepër penale jashtë. Flitet për probleme të të atit, por duket si probleme që janë zbehur në kohë. Është e mirëorganizuar me kosto të larta, por ngjarja mund të zbulohet. Edhe fakti i fikjes së dritave duhet hetuar. Unë gjykoj që një snajper nuk ka vajtur të gjejë pikën e goditjes dhe të presë që të dalë viktima në ballkon. Disa individë kanë studiuar lëvizjet e viktimës. Ata mund të kenë qenë dy, tre, katër. Është një krim i sofistikuar, me kosto të lartë.

Unë këtë e quaj gabim, për sa kohë që ke zgjedhur snajper, mund të lëvizte në këmbë. Djegia është në rastet kur qëllon me kallashnikov dhe djeg armën. Snajperi merret me vete. Edhe ikja në panik, nëse snajperisti ka qenë profesionist, këta të tjerët nuk kanë qenë profesionistë. Kjo është mirë për policinë se do të shkojë në zbardhje të autorit. Nuk ka krim të përsosur”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!