Atentati me snajper ndaj Akil Nerjakut në Durrës, shtohet misteri: Policia nuk merret me objektivin, por me makinën e parkuar

schedule12:35 - 13 Shtator, 2022

schedule 12:35 - 13 Shtator, 2022

Mesditën e djeshme në plazhin e Durrësit dyshohet se ka dështuar një atentat i mirëorganizuar me snajper ndaj Akil Nerjakutk, i njohur ndryshe si “Kili” i Shijakut.

Ndërkohë që nuk kishte asnjë raportim nga policia e Durrësit, ngjarja u bë publike ditën e sotme nga mediet.

Menjëherë pas publikimit në medie, reagoi policia, por pa folur për shënjestrën e atentatit. Dyshohet se ndaj Nerjaku është qëlluar me snajper nga brenda një furgoni sapo shënjestra doli nga automjeti i blinduar G-Class.

Ai arriti të shpëtonte, ndërsa plumbi ka përshkruar një tjetër automjet me targa të huaja që ishte i parkuar.

Lexo edhe: “E fali snajperi!” Atentati i mirëorganizuar në Durrës, si shpëtoi “i forti” brenda G-Class-it të blinduar

Sakaq, në reagimin e policisë flitet vetëm për pronarin e makinës me targa të huaja që ndodhej e parkuar në momentin e ngjarjes.

A po tenton policia ta fshehë ngjarjen dhe pse?

“Më datë 12.09.2022, rreth orës 12:00, në lagjen nr. 13, Durrës, në rrugën “Pavarësia”, është qëlluar një herë, me armë zjarri, në drejtim të një automjeti të parkuar, në pronësi të shtetasit Bujar Alushi, 52 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale është bërë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin ka lëvizur personi që ka qëlluar në drejtim të automjetit të parkuar. Vijon puna intensive për kapjen e autorit. Për arsye hetimi, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera. Theksojmë se në momentin e të shtënës me armë, në automjet nuk ka qenë asnjë person”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas asaj që mësoi Abc, policia ka marrë në pyetje Nerjakun, por nuk dihet arsyeja se pse ngjarja nuk është raportuar.

Sakaq autorët lëviznin me një automjet tip furgon ngjyrë të bardhë dhe dyshohet se e kanë ndjekur objektivin e tyre./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!