Gjykata e Tiranës ka shuar masën e sigurisë ndaj Durim Bamit, i akuzuar që prej 2015 për një atentat të pretenduar ndaj deputetit Tom Doshi. Vendimi u dha nga gjyqtari Bledar Abdullai, teksa Bami prej afro tre vjetësh ndodhet në arrest shtëpiak.
Pas gati tre vitesh izolim, fiton lirinë Durim Bami, një nga tre të akuzuarit për fabrikimin e provave të rreme të një skenari për vrasjen e deputetit Tom Doshi në vitin 2015. Gjykata e Tiranës ka vendosur të shuajë masën e sigurisë “arrest shtëpie”, në të cilën ai qëndronte prej më shumë se dy vitesh. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Bledar Abdullai, i cili ka vlerësuar se kjo masë sigurie i kishte humbur të gjitha efektet e saj.
Bami akuzohet për “kallëzim të rremë” në të njëjtën dosje ku janë të pandehur edhe deputeti Tom Doshi dhe ish-deputeti, Mark Frroku.
I pandehuri Bami, u arrestua në 2 Mars 2015 në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, në rrethin e Malësisë së Madhe. Shkak u bënë deklaratat publike të deputetit Tom Doshi, se Bami ishte “rekrutuar” për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit tjetër Mhill Fufi. Pas arrestimit ai mohoi të kishte marrë porosi për vrasjen dhe pretendoi se ishte kërcënuar nga deputeti për t’u regjistruar duke folur për “skenarin” e eliminimit të tij.
Durim Bami qëndronte në “arrest shtëpie” që prej 8 Majit 2015, pasi u lirua nga dy muaj qëndrimi në “arrest në burg”. Ndonëse kanë kaluar tre vjet, gjykimi i kësaj çështjeje nuk ka nisur. Pas dorëzimit në Gjykatën e Lartë, dosja shkoi në Kushtetuese për interpretim kompetencë. Mandej tek Krimet e Rënda, sërish në Gjykatën e Lartë dhe së fundmi në Gjykatën e Tiranës. Në vijimësi, Bami ka kërkuar lirim nga “arresti shtëpiak”, kërkesë që i është refuzuar, derisa masa i humbi efektet e saj./abcnews.al