“Asociacioni, detyrim për Kosovën”, Berisha: Aleatët presin që qeveria ta dërgojë në “Kushtetuese”, Kurti nuk është transparent

schedule16:26 - 4 Maj, 2024

schedule 16:26 - 4 Maj, 2024

Analisti Ridvan Berisha ka deklaruar në një lidhje me Skype për emisionin “Ballkan Update” se qeveria aktuale në Kosovë është jo transparente. Ai ka theksuar se kryeministri Albin Kurti, i shmanget pyetjeve lidhur me asociacionin.

Berisha ka thënë se asociacioni është një detyrim për Kosovën, pasi aleatët presin që qeveria ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Qeveria jonë është jo transparente, nuk komunikon fare me publikun. Kryeministri i shmanget përgjigjeve për këtë temë. I vetmi që është deklaruar, është një deputet i partisë së tij, i cili ka lirinë të deklarohet t’ia qëllojë dhe të mos ia qëllojë. Nga kryeministri i Kosovës ende nuk kemi përgjigje konkrete, krejt ç’ka dimë është kjo, fillimisht ishte një kërkesë e qartë e SHBA, pastaj e Francës në komunikimin që pati kryeministri Kurti me presidentin Macron përmes një bisede telefonike dhe fare në fund Gjermania, një mbështetes pa asnjë lloj diskutimi i qeverisë Kurti, dmth u rreshtua krahas partnerëve të saj, duke i kërkuar qeverisë së Kosovës që t’i bëjë detyrat. Nuk e kam të qartë pse po e vonon këtë punë kryeministri kur është zotuar në Bruksel dhe në tavolina ndërkombëtare që do ta pranojë draftin europian të asociacionit.

Ky zotim është detyrim shtetëror për Kosovën. Gjithë ata që kanë dilema, a është a jo zotim, le të shohim deklaratat nga shtetet tona mike dhe çfarë presin ato. Ato presin që qeveria ta nxjerr pikën e asociacionit dhe ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Së fundmi, kanë lindur zëra nga kampi i VetëVendosjes, se këtë lojë duhet ta bëjë presidentja Osmani. Është një lojë ping pongu që nuk çon asgjëkundi”, deklaroi Berisha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!