Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, kanë publikuar të dhënat e fundit lidhur me koronavirusin në vend.
Në një deklaratë për shtyp, Vitia ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të fundit, Kosova nuk ka pasur asnjë rast të ri me koronavirus. Gjithashtu ai ka bërë të ditur dy ilaçet që mjekët në Kosovë po përdorin për trajtimin e të infektuarve, të cilët po marrin ndihmën e parë shëndetësore.
Bëhet fjalë për barnat Remdesivir dhe Piravir, ky i fundit përdorej për të lehtësuar simptomat e gripit.
Ndërsa “Remdesivir” është një ilaç antiviral që u krijuar për të trajtuar virusin e Ebola-s por që po jep efekt edhe në trajtimin e koronavirusit.
“Si sëmundje e re nuk ka ndonjë protokoll të trajtimit antiviral, ne sot kemi marrë informacione se disa nga materialet si Rendecivir dhe Favir-Priravir, janë treguar të suksesshëm në trajtimit e të infektuarve. Mënjëherë sot, janë kontaktuar kompanit prodhuese por edhe ambasada e Japonisë, dhe shpresojmë se një kontigjen do të merret sa më shpejt”, tha Vitia.
DEKLARATA E MINISTRIT:
“ASNJË RAST I KONFIRMUAR ME COVID-19
Komunikatë për media
Sot me 19.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 16 mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha janë negative.
Nga data 08.02.2020 deri me 19.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 335 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet raste kanë rezultuar pozitive.
Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 2.597 thirrje, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë pranuar 553 thirrje telefonike.
Nga data 01.02.2020 deri me 19.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 14.442 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.015 udhëtarë, Merdare 4.882, Vërmicë 3.832, Jarinje 929, Dheu i Bardhë 891, Hani i Elezit 1.430, Kullë 822, Qafë Morinë 47, Bërnjak 414, Qafë Prush 35, Muçibabë 144 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) po përcjell me vigjilencë të shtuar situatën epidemiologjike me COVID-19, po monitoron të gjitha rastet e kontakteve dhe atyre të cilëve u është rekomanduar për vetëizolim shtëpiak.
Ekipet e QRShP në rajonet përkatëse janë në terren dhe janë duke i kontakuar kontaktet e kontakteve të rasteve pozitive me COVID-19 për mbikëqyrje të rreptë për 14 ditë duke rekomanduar që personat të vetëizolohen dhe ata që kanë simptome të lajmërohen në klinikën infektive.
Në IKShPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
Në bazë të qarkores së Ministrisë së Shëndetësisë është rekomanduar reduktimi i operacioneve elektive dhe i vizitave në ambulancat specialistike spitalore.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 19 mars 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 225.252 raste të COVID-19 me 9.276 raste të vdekjes, numri më i madh i rasteve raportohet nga Kina (80.928), Italia (35.713), Irani (18.407), përderisa në BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar gjithsej 93,419 raste të COVID-19: Itali (35.713), Spanjë (14.769), Francë (9.134), Gjermani (12.327), Mbretëri të Bashkuar (2.626), Holandë (2.051), Belgjikë (1.486), Greqi (418), Turqi (191), Serbi (97), Kroaci (99), Shqipëri (59), Maqedoni e veriut (43) dhe Mal të zi (8).
Deri me 19 mars 2020, numrin më të madh të vdekjeve e shenon Kina me (3.245), Italia me (2.978), Iran (1.284), nga vendet e BE/AEE dhe Mbretëri të Bashkuar janë raportuar 4.188 raste të vdekjes: Itali (2.978), Spanjë (638), Francë (264), Mbretëri të Bashkuar (104), Gjermani (31), Belgjikë (14), Norvegji (6), Austri (5), Poloni (5), Greqi (5), Luksemburg (4), Danimarkë (4), Bullgari (3), Irlandë (2), Turqi (2), Shqipëri (2), dhe Hungari (1).
Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e shëndetësisë dhe Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Ju faleminderit për mirëkuptim!”./abcnews.al