Artikulli investigativ amerikan, vijon përplasja PS-PD

schedule20:54 - 8 Mars, 2018

schedule 20:54 - 8 Mars, 2018

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë përplasur sërish sot publikisht mbi shkrimin e revistës investigative amerikane që aldonte se Lulzim Basha është financuar nga biznesmenë rusë për të lobuar në SHBA. Nënkryetarja e grupit parlamentar socialist Elisa Spiropali i ka kërkuar Bashës të përgjigjet për akuzat, ndërsa zëdhënësja e PD Ina Zhupa ka përsëritur se shpifjet e shkrimit janë financuar nga Edi Rama.

Për të dytën ditë radhazi, PS i kërkon Lulzim Bashës të zbardhë të vërtetën e parave që ka përdorur për lobim në SHBA, bazuar në artikullin investigativ të amerikanes “Mother Jones”. Nënkryetarja e grupit parlamentar socialist, Elisa Spiropali, ka deklaruar se duhet sqaruar historia e pagesës së errët të PD, për të nxirë imazhin e Shqipërisë në botë, me mbështetje ruse.

Elisa Spiropali: “Lulzim Basha duhet të thotë ku u gjendën ato para që u paguan në emër të PD-s. Pse ato para kaluan nga kanali i errët i një shoqërie guaskë? Me Kremlin pa Kremlin, kjo nuk është e vetmja gjë që ka rëndësi në këtë mes, sepse paratë i ka paguar Lulzimi dhe i ka kaluar përmes guaskës në një ishull offshore, në shkelje të hapur të ligjeve të shtetit shqiptar dhe jo vetëm të shtetit shqiptar, po edhe të shtetit amerikan, sepse përndryshe askush në SHBA nuk do të harxhonte kohë dhe energji për të hetuar këtë zullum të madh”.

Partia Demokratike i është kundërpërgjigjur njëlloj si një ditë më parë, përmes zëdhënëses Ina Zhupa, duke i quajtur shpifje të paguara nga Edi Rama, konkluzionet e atij shkrimi

Ina Zhupa: “Por është akoma më e rëndë që një parti e tërë po angazhohet përherë e më shumë në mbrojtje të drogës dhe të krimit. Ajo që mbetet është ajo që ka rëndësi – Saimir Tahiri si trafikant dhe familja Rama e përfshirë në tregtinë e kokainës. Këta janë rreziku i destabilizimit të Shqipërisë”.

Në përplasjen e sotme, ra në sy edhe qëndrimi ndaj përgenjeshtrimit të një dite më parë nga ambasada ruse, sipas të cilës, akuzat e artikullit investigativ për përfshirjen ruse në lobimin amerikan të PD janë thjesht trillime.

Elisa Spiropali: “Për të mos lejuar asnjë keqkuptim, ne nuk do të dëshironim asnjëherë një konflikt të kësaj natyre me Kremlinin për faktin e thjeshtë se, pavarësisht se Rusia nuk hyn ndër partnerët tanë strategjikë e as përbën një pikë referimi në politikën tonë të jashtme, ne kemi dëshiruar e dëshirojmë marrëdhënie pozitive tregtare e kulturore me atë shtet”.

Ina Zhupa: “Akuzat me rusë të artikullit janë thellësisht qesharake, por për t’i bërë edhe më qesharake, sot ato i ripërcolli Elisa Spiropali”.

Një ditë më parë në revistën investigative amerikane “Mother Jones” u publikua një shkrim i gjatë e i detajuar mbi lobimin e Lulzim Bashës në SHBA, në të cilin thuhej se financues të PD-s ishin dy biznesmenë rusë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!