Parlamenti zgjodhi sot në një seancë të tensionuar dhe në kushte shumë të veçanta, zonjën Arta Marku në detyren e kryeprokurorit të përkohshëm. Pasi kishin tentuar disa herë bllokimin dhe pengimin e seancës, deputetët opozitarë nuk lejuan në vazhdimesi zhvillimin e saj sipas axhendës së parashikuar. Deputetët opozitarë kanë hedhur edhe gaz tymues në sallen e Kuvendit, një gjë që ndodh për herë të parë në parlamentin shqiptar. Megjithë kushtet e vështira, kryetari i kuvendit Ruçi ka vijuar seancën me votimin e fshehtë për kandidaten për kryeprokurore, Arta Marku.
Në përfundim të votimit ajo ka marrë 69 vota pro, 2 kundër, dhe 2 vota abstenim. Deputetët opozitarë gjatë kohës së votimit kanë qëndruar më këmbë në sallë dhe kanë hedhur tymuese, ndërsa jashtë salles së Kuvendit mbështetesit e opozitës të udhëhequr nga deputetë demokratë kanë tentuar të mësyjnë dhe drejt oborrit të parlamentit. Pas votimit kryetari Ruçi ndërpreu seancën për 20 minuta, për t’i dhënë kohë zonjës Arta Marku të mbërrijë në Kuvend për të bërë betimin./abcnews.al