Arta Marku largon Besim Hajdarmatajn nga drejtimi i Krimeve të Rënda

schedule15:42 - 9 Maj, 2018

schedule 15:42 - 9 Maj, 2018

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, ka larguar nga detyra kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj. Në vend të tij është emëruar Donika Prela, e cila prej disa muajsh ka drejtuar Prokurorinë e Durrësit.

Besim Hajdarmataj nuk do të jetë më drejtues i Prokurorisë se Krimeve të Rënda. Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, ka caktuar në këtë detyrë kryeprokuroren e Durrësit, Donika Prela.

Në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme thuhet zyrtarisht se, “Emërimi i znj. Donika Prela si kreu i Krimeve të Rënda, do të sjellë ndryshim në drejtim të rezultatit të ndjekjes penale më të shpejtë dhe më të efekshme të çështjeve me përparësi të lartë. Ndjekja penale e krimit dhe korrupsionit, mbetet prioritet më i lartë i kryeprokurores”.

Besim Hajdarmataj, i cili mbetet me detyrën e prokurorit tek Krimet e Rënda, është një nga prokurorët e çështjes në hetim ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Burimet bënë të ditur për ABC News gjithashtu se Donika Prela, në Prokurorinë e Durrësit ka pasur në dorë dosjen e hetimit ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, dosje e cila nga Durrësi i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Ndërkohë, vendin e Donika Prelës në krye të Prokurorisë së Durrësit do ta zërë Anila Jella. Prela është prokurore karriere dhe mori drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, pak muaj më parë, pas ardhjes së Arta Markut në krye të organit qendror të akuzës.

Ndërsa Besim Hajdarmataj ishte emëruar drejtues në Prokurorinë e Krimeve të Rënda me firmën e Adriatik Llallës në Maj 2016. Më parë, ai ka qenë prokuror në Tropojë dhe në Krujë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!