Nga Hergi Llupi
Në Premier League është mbyllur raundi i 24-të gjatë fundjavës me 10 sfidat e ligës. Ndeshja hapëse e kësaj fundjave dhe më e bukura ishte ajo mes Aston Villas dhe Arsenalit. Një sfidë e jashtëzakonshme e cila i dhuroi të gjitha emocionet e mundshme të një ndeshjeje të jashtëzakonshme. Arsenali arriti të fitonte me një përmbysje mahnitëse me rezultatin 2-4, duke shënuar dy gola në shtesën e përfundimit të ndeshjes. Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasti me Watkins në minutën e 5-të. Barazimi nga Arsenali erdhi në minutën e 16-të pasi Saka dërgoi topin në rrjetë. Avantazhi për Aston Villan erdhi në minutën e 31-të me anë të brazilianit Coutinho. Pjesa e dytë ishte e luftuar shumë nga “Topçinjtë”, të cilët gjetën barazimin përsëri në minutën e 61-të me anë të ukrainasit Zienchenko. Të dëshpëruar për të marrë një fitore, Arsenali bën mrekullinë në minutën e 93-të, ku Jorginho godet nga distanca dhe topi përplaset me shtyllën e më pas me Emiliano Martinez, duke parë më pas topin që kalon vijën e portës. Atmosferë e jashtëzakonshme dhe festë e madhe për stolin e Arsenalit, ku kapakun e vendosin në minutën e 98-të me Martinellin që shënon golin e katërt. Kjo fitore e Arsenalit i dha atyre tre pikët dhe vendin e parë me 54 pikë.
Manchester City ka humbur shansin për të ushtruar presion mbi Arsenalin kryesues, pasi kanë gjetur barazimin me Nottingham Forest me rezultatin 1-1. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e “qytetarëve”, me Bernardo Silva i cili shënoi në minutën e 41-të. City është shtangur pranë përfundimit të sfidës, pasi Wood barazoi shifrat në minutën e 84-të. Arsenali kryeson tabelën me 54 pikë, ndërsa Manchester City në vendin e dytë me 52 pikë, edhe pse skuadra e Artetës është me një ndeshje më pak.
Chelsea zhgënjeu duke u mposhtur në shtëpi nga Southampton me rezultatin 0-1. Liverpool dhe Tottenham kanë marrë nga tre pikë pasi të dyja fituan me rezultatet 2-0.
Rezultatet e ndeshjeve të fundjavës dhe tabela e renditjes:
Në Serie A, të gjitha ekipet e mëdha kanë arritur të marrin nga tre pikë. Napoli kryesues nuk ka të ndalur, pasi mposhtën me rezultatin 0-2 Sassuolon në shtëpinë e këtyre të fundit. Autorët e golave nuk janë më të panjohur, por të përhershëm për ekipin e Spallettit. Kvarastkhelia dhe Osimhen mbyllën sfidën që në pjesën e parë, duke i dhënë kështu tre pikët të kaltërve. Napoli ndodhet në vendin e parë të tabelës së Serie A me 62 pikë, 15 pikë më shumë se vendi i dytë në të cilin ndodhet Interi. Zikaltërit morën një fitore në San Siro ndaj Udineses me rezultatin 3-1. Lukaku, Mkhitaryan dhe Lautaro ishin autorët e golave për ekipin e Inzaghit. Kjo fitore vlen shumë për Interin, pasi vazhdojnë të tentojnë të blindojnë vendin e dytë, pasi i pari është pothuajse i pamundur për t’u arritur. Juventus fitoi ndaj Spezias me rezultatin 0-2, Milan mori tre pikët me një fitore minimale ndaj Monzës dhe Roma gjithashtu fitore minimale ndaj Veronës. Atalanta nga ana tjetër u befasua në Bergamo ndaj Leçes duke humbur me shifrat 1-2. Sot në mbrëmje, Torino do të ndeshet me Cremonesen dhe do të përmbyllin raundin përkatës të Serie A
Rezultatet e ndeshjeve të fundjavës dhe tabela e renditjes:
Në Spanjë këtë herë nuk ka surpriza. Barcelona arriti të fitonte në Camp Nou me rezultatin 2-0 përballë Cadiz. Kjo fitore i dha katalanasve tre pikët dhe i pozicionon ata në krye të tabelës me 59-të pikë. Real Madrid mori një fitore me të njëjtin rezultat kundër Osasunës. “Los Blancos” tentojnë të qëndrojnë sa më pranë Barcelonës duke shpresuar për gabime të ekipit të Xavit. Reali ndodhet në vendin e dytë me 51 pikë, 8 më pak se Barcelona kryesuese. Atletico Madrid gjithashtu mori një fitore, pasi mposht minimalisht Bilbaon. Raundin përkatës të La Liga e mbyll ndeshja e sotme mes Getafes dhe Valencias.
Rezultatet e ndeshjeve të fundjavës dhe tabela e renditjes:
Raundi i 21-të është mbyllur në Bundesliga të Gjermanisë, ku nuk kanë munguar surprizat. Bayern Munich është mposhtur me rezultatin 3-2 ndaj Monchegladbach, duke rrezikuar tashmë vendin e parë të tabelës. Bavarezët aktualisht janë kryesues falë golave të shënuar në total, sepse gjithashtu e ndanë këtë pozicion bashkë me Dortmundin dhe Union Berlin, të treja me nga 43 pikë. Dortmundi e pati të lehtë fitoren ndaj Hertha Berlinit me rezultatin e thellë 4-1, ndërsa Union Berlin mori një barazim pa gola në shtëpi përballë Schalke 04.
Rezultatet e ndeshjeve të fundjavës dhe tabela e renditjes:
Në ligën franceze PSG rikthehet te fitorja dhe ruan kreun e tabelës. Skuadra e Galtier arriti të merrte një fitore dramatike në minutën e 94 pasi Leo Messi shënoi golin e fitores me një perlë, duke e çuar rezultatin final në 4-3 përballë Lille. PSG ndodhet në vendin e parë me 57 pikë. Marseille mori një fitore me rezultatin 2-3 përballe Toulouse. Kjo fitore i dha atyre tre pikë për t’u renditur të dytët në tabelë me 52 pikë, 5 më pak se PSG.
Rezultatet e ndeshjeve të fundjavës dhe tabela e renditjes: