Të dukej se ishe në Spanjë. Atje ekziston kjo traditë që mijëra tifozë të presin me zjarr e me tym ekipin e zemrës kur mbërrin në stadium për ndonjë sfidë vendimtare në Champions, apo për El Klasikon, veçse këto skena ndodhën në Londër.
Mijëra përkrahës të Arsenalit nxitën yjet e tyre për të fituar edhe një ndeshje e për t’iu afruar edhe më shumë titullit kampion, për të cilin po pritet 22 vjet.
Në stadiumin “Emirejts” mbërriti Bërnli, ekipi i Armando Brojës, veçse me sulmuesin shqiptar në tribunë, dhe ishte ndeshja e parafundit e Premier Ligës.
U arrit një fitore e vogël, vetëm 1-0, por rëndësi kishin tri pikët.
Epërsia ishte e madhe, ndonëse të shënohej goli doli tepër e vështirë.
Londinezët mbajtën topin 62 për qind, bënë 13 gjuajtje, por vetëm 2 në kuadrat, ndërsa miqve nuk u lejuan asnjë.
Sfida u vendos nga gjermani Kai Haverc në 36’, pra tensioni mbeti deri në fund.
Suksesi bëri që Arsenali të ketë tani 82 pikë ndaj 77 të Man Sitit, por që ka luajtur një ndeshje më pak, dhe java e fundit luhet në 24 maj në derbin e vogël në fushën e rivalit Kristël Palas.
“Topçinjtë” kanë mundësi të fitojnë këtë vit edhe Championsin, ndonëse nuk janë favoritë në finalen kundër Paris SG të shtunën e 30 majit.
Gjithsesi, të dy trofetë e mëdhenj janë të arritshëm, dhe tifozët padyshim që ëndërrojnë si në 2004 apo 2006.


