ARRSH merr masat 1 javë pas tragjedisë, eksperti: Nuk mjaftojnë

schedule16:23 - 24 Qershor, 2019

schedule 16:23 - 24 Qershor, 2019

Pas aksidentit tragjik në rrethrrotullimin e Saukut, janë shtuar disa elemente te sigurisë rrugore. Por, sipas ekspertëve të fushës ka shumë shkaqe për aksidente të tilla fatale.

Kjo ishte tek rrethrrotullimi i Saukut në Tiranë rreth 1 javë më parë. Sot pamja që gjeti kamera e ABC News ishte e tillë. Duket se diçka ka ndryshuar sa i takon rritjes së sigurisë.

Fatkeqësisht shumë vonë për një familje nga Tirana që një javë më parë humbi  3 anëtarë të saj në një aksident pranë këtij vendi.

Përfundimet e ekspertizës zyrtare për shkaqet e këtij aksidenti që i mori jetën dy bashkeshortëve dhe vajzës së tyre ende nuk kanë dalë. Por Autoriteti Rrugor Shqiptar mori disa masa, duke vendosur tabela pulsuese dhe fosforeshente në mënyrë që drejtuesit e mjeteve të kenë disa lehtësi më shumë kur qarkullojnë në këtë aks.

Por, sipas ekspertit autoteknik të sigurisë rrugore Islam Qibini, sinjalistika në këtë rrethrrotullim përsëri ka mangësi edhe pse sapo është vendosur.

“Në segmentin rrugor ku ka ndodhur ky aksident dhe drejtimi i veturës tip “BMË” kemi sinjalistikë vertikale dhe horizontale. Kemi sinjalistikë vertikale për kufizim shpejtësie nga 80, 60, 40 deri në 20, por kemi pa plotësuar me sinjalistikë të ndritshme. Bordura e këtij rrethrrotullimi duhej të ishte me fosforeshente. ME vendosjen e pulsanteve të ndritshme, i tërheqin vëmendjen drejtuesit të mjetit, i cili detyrohet për të ulur shpejtësinë  dhe për të qarkulluar në mënyrë normale në rrethrrotullim”, tha ai.

Ndër shumë shkaqet për numrin e lartë  të aksidenteve rrugore me pasoja fatale për jetën, sipas Qibinit është edhe mungesa e patrullave të Policisë Rrugore në akset problematike.

“Nuk është organizuar, planifikuar dhe dislokuar forcat e shërbimeve të policisë rrugore  në pikat ku ka fluks dhe volum të madh të lëvizjes së mjeteve”, u shpreh Qibini.

Për të ulur vdekshmërinë nga aksidentet rrugore, eksperti sugjeron zbatim më të rreptë dhe në vazhdimësi të Kodit Rrugor.

“Kohët e fundit këto detyra që janë të përcaktuara në Kodin Rrugor nuk po zbatohen. Janë zbehur kërkesat e Policisë Rrugore nga atyre drejtuesve, të cilët përdorin pije alkoolike, ecin me shpejtësi ose përdorin celular gjatë drejtimit të automjetit”, tha Qibini./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!