ARRSH: Gjendja e rrugëve është e rënduar nga bora

schedule11:13 - 9 Janar, 2019

schedule 11:13 - 9 Janar, 2019

Të gjitha rrugët kryesore në vend janë të hapura pavarësisht reshjeve të bores, por në disa akse në zonat malore qarkullimi i mjeteve është i detyrueshëm me zinxhirë.

Gjendja në gjithë segmentet rrugore të vendit është e rënduar për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve intensive të borës.

Në Rajonin  Verior të vendit, mjetet janë të detyruara të lëvizin me zinxhirë në segmentet Qafë Mali – Fierzë, Qafë Qelë – Pukë – Fushë Arrëz – Kukës, Shkodër – Hani i Hotit dhe Ura e Topojanit – Dogana Bllate. Firmat e mirëmbajtjes po punojnë intesivisht me borëpastruese e trajtim me kripë për pastrimin total të këtyre segmenteve.

Në segmentin Skuraj – Burrel – Klos – Bulqizë – Peshkopi rekomandohet përdorimi i zinxhirëve dhe gomave të borës pasi reshjet po intensifikohen.

Në rrugën Ura e Cerenecit – Steblevë, po punohet me borëpastruese dhe fadroma për pastrimin e rrugës dhe qarkullimi kryhet me zinxhirë vetëm në pjesën fundore.

Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në akset Kukës – Bushtricë dhe Kukës – Ura e Zapodit, Qafe Lac – Koman, Koplik – Boge, Dedaj – Razëm.

Në Rajonin Qendror të vendit, segmentet Qafë Priskë – Qafë Mollë – Shëngjergj, Trau Dajt – Teleferik në Tiranë qarkullohen me zinxhirë. Edhe në rrugën Librazhd – Qafë Thanë, ka patur reshje të dendura bore, ndaj qarkullimi i automjeteve rekomandohet të kryhet me zinxhirë.

Në jug të vendit, në rajonin e Korçës, trashësia e borës shkon rreth 20 cm. Në akset e Dardhës, Voskopojës, Korçë – Qafë Qarri – Ersekë, Liqenas – Dogana Goricë mjetet duhet të qarkullojnë me zinxhirë. Aksi Kryesor Qafë Thanë  – Pogradec – Korçë – Kapshticë, qarkullohet me zinxhirë.

Edhe segmentet Tepelenë – Dorez – Qafë Dushk dhe Sevaster – Kalivaç, Përmet – Çarshovë, Ura e Leklit – Këlcyrë, Jorgucat – Muzine – Syri i Kaltër, Gjirokastër-Tepelenë dhe Gjirokastër – Kakavijë, qarkullohet vetëm me zinxhirë. Rruga Dukat – Llogara – Sarandë është e hapur dhe qarkullohet pa zinxhirë.

Sipas parashikimit meteorologjik moti do të përkeqësohet. /abcnews.al