Arrestohet vrasësi serial në Ruandë, shokon me deklaratën e tij: Mësova të vras duke parë filma

schedule20:46 - 21 Shtator, 2023

schedule 20:46 - 21 Shtator, 2023

Një burrë 34-vjeçar nga Ruanda është deklaruar fajtor për vrasjen e 14 grave, trupat e të cilëve u gjetën në një gropë që ai kishte hapur në kuzhinën e shtëpisë së tij.

Megjithatë, Dennis Kazungu akuzohet vetëm për dhjetë vepra, duke përfshirë vrasjen, përdhunimin, falsifikimin, imitimin dhe përdhosjen e një trupi të vdekur. Në Gjykatën e Kigalit, ku u mbajt seanca e tij, ai është përgjigjur me “po” kur gjyqtari e ka pyetur nëse akuzat ndaj tij janë të vërteta.

“Ata që vrava më dhanë SIDA,” pohoi ai, duke përmendur faktin se shumica e viktimave të tij ishin prostituta.

Kazungu u arrestua në fillim të këtij muaji pasi policia gjeti një duzinë trupash, kryesisht gra, në një gropë që kishte hapur në shtëpinë që kishte marrë me qira në periferi të Kigalit, ku jetonte vetëm.

Një prokuror i tha gjykatës se megjithëse u gjetën vetëm 12 trupa, Kazungu pranoi se kishte vrarë gjithsej 14 persona dhe kishte copëtuar trupat e dy. Ai takohej me gra në lokale dhe i merrte në shtëpinë e tij, ku i lidhte, i zhveshte dhe vidhte sendet e tyre personale. Më pas ai i detyroi viktimat e tij të zbulonin fjalëkalimet e celularit dhe tërhiqte paratë nga llogaritë e tyre, përpara se t’i vriste. Prokurori tha se disa gra të rrëmbyera arritën të arratiseshin dhe njoftuan policinë.

Dennis Kazungu u arrestua fillimisht në korrik me dyshimin për vjedhje dhe përdhunim, por u lirua me kusht sepse nuk kishte prova të mjaftueshme, thotë policia. Pas arrestimit të tij të dytë në fillim të shtatorit, një burim policor i tha AFP se ai pretendoi se “mësoi” se si të vriste duke parë filma me vrasës serial.

Mediat vendase raportuan se Kazungu mbante herë pas here punë të ndryshme, përfshirë atë të një mësuesi të anglishtes.