Policia italiane ka arrestuar tre shqiptarë me akuzën e trafikut të drogës dhe të armëve. Kreu i grupit mendohet të jetë një 20 vjeçar shqiptar i cili punonte si barist në lokalet e natës më në zë në zonën e Komos.
Ditën punonte si një barist në lokalet e natës më në zë në qendrën historike të Barlasinës në Itali, dhe ishte i njohur në zonë, sidomos nga të rinjtë. Por ishin shumë pak ata që e dinin për punën e tij të dytë.
Është kjo historia e një 20 vjeçari shqiptar, i arrestuar për shpërndarje droge dhe trafik armësh. Në pranga kanë përfunduar dhe dy bashkëpunëtorë të tij, bashkëmoshatarë dhe gjithashtu shqiptarë. Në ndjekje të tyre agjentët e policisë së Milanos kanë mbërritur në garazhin e përdorur nga shqiptarët ku kanë gjetur shtatë kilogramë kokainë, katë kilogramë e gjysëm heroinë, dy mitralozë, një pistoletë gjysëmautomatike, një revolver, disa karikatorë dhe municione për të gjitha armët. Ndërsa në banesën e tyre janë gjetur 8400 euro cash. Ndër të tjera, në bagazhin e automjetit luksoz të njërit prej shqiptarëve i gjetën pesë kilogramë të tjera kokainë dhe 550 gramë heroinë, për një total prej 17 kilogramësh drogë. Sipas hetuesve italianë 20 vjeçari shqiptar drejtonte një trafik droge mes Milanos dhe Komos me ndihmën e dy shqiptarëve të tjerë. Dy prej tyre janë në gjendje arresti, ndërsa i treti në liri me kusht./abcnews.al