Policia e Kukësit ka arrestuar një 17-vjeçar, pasi lëvizte me kallashnikov me vete. Kanë qenë banorët e fshatit Shistavec ata të cilët kanë lajmëruar policinë, se adoleshenti mbante armë zjarri.
Policia bën me dije se e kanë konstatuar duke ecur të mitur B. P, ku edhe është bërë kapja e tij. 17-vjeçari mbante me vete një armë zjarri kallashnikov me karikator me fishekë.
Njoftimi i plotë:
Kukës/Vijojnë kontrollet për rritjen e parametrave të sigurisë.
Lëvizte në drejtim të Shishtavecit, me kallashnikov me vete, falë bashkëpunimit me qytetarët dhe ndërhyrjes profesionale të shërbimeve të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 17-vjeçari.
Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov dhe fishekë luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, si rezultat i kontrolleve blic për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga qytetarët, se një adoleshent qarkullonte me armë zjarri, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në drejtim të fshatit Shishtavec, shërbimet e Policisë kanë konstatuar duke ecur shtetasin e mitur B. P. Pas ndërhyrjes profesionale për të mos krijuar reagime apo dëmtime të palëve, është bërë kapja dhe arrestimi i 17-vjeçarit, i cili mbante me vete një armë zjarri kallashnikov me karikator me fishekë.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbatja pa leje”.
g.v/abcnews.al